Secondary Adv

Taksa e baneses, Veliaj: Nga marsi do te futet ne faturen e ujit

Taksa e pronës duhet të caktohet nga bashkitë, deklaroi kryebashkiaku i Tiranës, Erjon Veliaj, në konferencën e organizuar nga USAID për ligjin mbi financat vendore. Bashkitë, nga ana tjetër, duhet të jenë gjithashtu më të zhdërvjellëta, shtoi Veliaj.

 

“Ne, besoj që, duke filluar nga muaji tjetër, taksën e pronës, aq sa është, 100 lekë në muaj, do ta fusim te fatura e ujit”, deklaroi Veliaj. “Është nonsens që taksa e pronës, megjithëse nuk mblidhet, megjithëse është më e ulëta sot në Ballkan, në Shqipëri, vjen e mandatuar nga qeveria qendrore”, tha Veliaj.
“Ne i kemi ndarë në dy kategori; shtëpitë para dhe pas ’93, por prapë ka ndryshim. Një shtëpi në bllok dhe një shtëpi në Shëngjergj, pavarësisht para apo pas ’93 kanë vlera të ndryshme”, shtoi Veliaj. “Kjo do të thotë se disa çështje si zonimi ose si taksa e pronës, sipas vlerës, jo detyrimisht sipas vitit të ndërtimit, duhet të jenë kompetenca totalisht të qeverisë lokale”, argumentoi Veliaj në fjalën e tij. “Vetëm në Tiranë dhe ka një diapazon kaq të madh vlera e pronës. Imagjinoni tani, mes Tiranës dhe Delvinës, apo mes Tiranës dhe Malësisë së Madhe, apo Hasit.


Në këtë sens, besoj që qeveria fiton, se çlirohet nga një stres i panevojshëm, ku duhet me 61 bashki të negociojë taksime të kësaj natyre ku këto duhet të jenë fare mirë taksa dhe tarifa vendore”, deklaroi Veliaj. “Shumica e qytetarëve thonë, nuk refuzoj ta paguaj taksën. Kjo është një taksë e detyrueshme, me pagesë vullnetare, e cila shfaqet vetëm kur dikush shkon të marrë një shërbim në bashki dhe zbulon që ka 3 vjet pa paguar taksën e pronës, kur krejt papritur shkon me 500 lekë të vjetra në xhep për të marrë një certifikatë, dhe në fakt duhet të paguajnë 120 mijë lekë, se ka vite pa e paguar taksën e pronës.


Disa anomali të tilla i shkaktojmë nga mungesa e sensit praktik, që ne kemi në mbledhjen e faturimin e këtyre taksave, që sado modeste janë, të paktën zgjerojnë bazën”, tha Veliaj. Sot në Tiranë 7% paguhet taksa e pronës. “Unë i mirëkuptoj të gjithë qytetarët që kërkojnë shërbime, kërkojnë që gjërat të bëhen menjëherë, tha Veliaj dhe shtroi pyetjen: Çfarë paguajnë për këto shërbime dhe sa marrin mbrapsht nga qeveria për taksat që qytetarët dhe që rigjenerohen nga Tirana?” Sot në Tiranë kemi taksat më të ulëta të të gjithë kryeqyteteve të rajonit, konstatoi Veliaj.


Ai deklaroi se nuk po kërkohet të rritet niveli i taksimit, por të rritet baza e tatimpaguesve. Lidhur me financimet e njësive vendore, Veliaj tha se të gjitha bashkitë, formalisht mund të kreditohen, por praktikisht, kreditë që merr qeveria e madhe nuk lënë hapësirë. Sipas Veliajt, megjithëse bankat kanë para dhe janë në kufirin ku interesi i depozitave po shkon negativ, është e pamundur të aksesohen këto kredi sepse qeveria qendrore ka vënë një tavan.


Më të lexuarat