Ndertimet mbi nje kat, Kadastra rrit tarifen e legalizimit
Ditët e para të këtij viti Këshilli i Ministrave ka miratuar tarifat e reja që do përdoren nga zyrat e legalizimit të ndërtimeve informale.
Një prej ndryshimeve më të rëndësishme vjen në pagesën që do kryhet për përditësimin e ndërtimeve. Nga 8 mijë lekë që ishte deri tani, kjo tarifë do të bëhet 10 mijë lekë, në një kohë që nuk do llogaritet më në bllok për gjithë objektin, por për cdo kat.
“Tarifat për përditësimin e ndërtimeve pa leje me funksion social-ekonomik dhe në rastin kur subjektet posedojnë më shumë se një ndërtim pa leje, janë secila në vlerën 10 000 (dhjetë mijë) lekë për çdo kat të ndërtimit” përcakton Vendimi i Këshillit të Ministrave i miratuar më 11 janar.
Termi social ekonomik tashmë do përdoret për ato lloj ndërtimesh në proces legalzimi të cilat rezultojnë se përdoren për aktivitet ekonomik, social apo kulturor.
E njëjta tarifë do paguhet nga zotëruesit e ndërtimeve pa leje edhe në rastet kur bëhet fjalë për legalizimin e më shumë se një objekti.
Ndërkaq, në rastet e ndërtimeve pa leje me funksion të përzier do aplikohet tarifë shërbimi për përditësimin, vetëm për katin apo katet që shfrytëzohen për veprimtari social-ekonomike.
Gjatë procedurës së kërkesës për legalizim, subjekti posedues i ndërtimit pa leje shlyen tarifën e kërkesës, e cila është në vlerën 3 000 lekë dhe kryhet nëpërmjet sistemit bankar, në llogarinë e Drejtorisë së Përgjithshme të ASHK, në momentin e paraqitjes së kërkesës në portalin e-Albania./Burimi: SCAN