Secondary Adv

Protesta ne Paris, por Macron zotohet te vazhdoje reformen e pensioneve

Qindra mijëra vetë protestuan në rrugët e Parisit dhe qyteteve të tjera ndërsa vazhdojnë grevat mbarëkombëtare kundër planeve të qeverisë për të rritur moshën e pensionit.

 

Grevat mbarëkombëtare shkaktuan ndërprerje të transportit, mësimit dhe shërbimeve e tjera publike në të gjithë Francën.

 

Gjatë një konference për shtyp në një takim të nivelit të lartë franko-spanjoll në Barcelonë të Spanjës, presidenti Macron tha se "duhet ta bëjmë atë reformë" për të "shpëtuar" sistemin e pensioneve.

 

“Ne do ta bëjmë atë me respekt, në një frymë dialogu, por edhe me vendosmëri dhe përgjegjësi”, shtoi ai. Ndërsa Macron mbante konferencën e shtypit, policia u kundërpërgjigj ndaj disa protestuesve që hodhën mjete plasëse gjatë një marshimi përgjithësisht paqësor në Paris.

 

Gjendja duket se u rikthye shpejt nën kontroll. Sipas rregullave të reja, punëtorët francezë do të duhet të punojnë më gjatë përpara se të dalin në pension– me moshën e pensionit që rritet nga 62 në 64.

 

Në një vend me një popullsi të plakur dhe jetëgjatësi në rritje ku të gjithë marrin një pension shtetëror, qeveria ebo Macron thotë se reforma është mënyra e vetme për ta mbajtur sistemin gjallë.

 

Sindikatat argumentojnë se rishikimi i pensioneve kërcënon të drejtat e fituara pas shumë përpjekjesh dhe propozojnë një taksë mbi të pasurit ose më shumë kontribute nga pagat e punëdhënësve për të financuar sistemin e pensioneve.

 

Sondazhet sugjerojnë se shumica e francezëve janë gjithashtu kundër reformës. Më shumë se 200 mitingje u organizuan në mbarë Francën të enjten, duke përfshirë një në Paris ku merrnin pjesë të gjitha sindikatat kryesore të Francës./Burimi: Shqiptarja.com


Më të lexuarat