Secondary Adv

Bankat shtrenguan me tej kriteret e kreditimit per individet dhe bizneset

Bankat shtrënguan më tej standardet e kreditimit për individët në tremujorin e katërt të vitit 2022.

 

Sipas Vrojtimit të Aktivitetit Kreditues, kryer nga Banka e Shqipërisë, shtrëngimi i standardeve u vërejt në të dyja kategoritë e qëllimit të përdorimit të kredisë, si në ato për blerjen e banesave, ashtu edhe në atë konsumatore.

 

Shtrëngimi i standardeve të kreditimit për individët ishte pasojë e perceptimit të rrezikut nga bankat lidhur me situatën makroekonomike në vend e perspektivën për të, zhvillimet aktuale e të pritura në tregun e banesave, aftësinë paguese të kredimarrësit si edhe me kolateralin e kërkuar.

 

Po ashtu, faktor tjetër që ndikoi në shtrëngimin e standardeve të kreditimit ishte edhe toleranca më e ulët e bankave ndaj rrezikut. Shtrëngimi i standardeve të huadhënies bëri që shkalla e miratimit të kredive për individët të ulet në tremujorin e katërt 2022.

 

Raporti më i lartë i kredive të refuzuara në këtë tremujor u nxit nga perceptimi i bankave mbi nivelin e të ardhurave të disponueshme, nga faktorët e lidhur me historikun e kreditit të individëve dhe nga faktorët që reflektojnë politikat e kreditimit të bankave.

 

Inflacioni i lartë dhe rritja e normave të interesit sollën një ngadalësim të ritmeve të kredidhënies vitin e kaluar, sidomos në gjysmën e dytë të tij.

 

Mes të tjerash, kjo reflekton edhe politikat më konservatore të bankave, duke pasur parasysh se këta faktorë vlerësohet se po e ndikojnë negativisht aftësinë paguese të huamarrësve.

 

Ndërkohë, edhe kërkesa e individëve për kredi u perceptua më e ulët në tremujorin e fundit 2022, si për kreditë për blerjen e banesave, ashtu edhe për ato konsumatore.

 

Kjo tregon se rritja e normave të interesit ka filluar tashmë të ndikojë edhe kërkesën për kredi bankare. Në tremujorin e parë të 2023, bankat presin që kërkesa për kredi të jetë sërish në rënie, si në blerjen e banesave, ashtu edhe në financimin e konsumit.

 

Nga ana e ofertës, bankat raportuan se standardet e kreditimit për individët priten të mbeten të pandryshuara në tremujorin e parë të vitit 2023, si në kreditë për blerjen e banesave, ashtu dhe në ato konsumatore.

 

Një tendencë e ngjashme në tremujorin e katërt u vërejt edhe në standardet e kreditimit për bizneset, që vijuan të shtrëngohen më tej.

 

Shtrëngimi i standardeve u krye si në kreditë akorduar biznesit të vogël e të mesëm, ashtu edhe në ato për biznesin e madh, si në kreditë për financimin e investimeve, ashtu edhe në ato për mbulimin e nevojave për likuiditet.

 

Faktorët që ndikuan në shtrëngimin e standardeve të kreditimit për bizneset lidheshin kryesisht me perceptimin e rrezikut nga ana e bankave.

 

Më konkretisht, rreziku i perceptuar nga aftësia paguese e kredimarrësit, nga situata aktuale ekonomike në vend dhe perspektiva për të, si edhe rreziku mbi kolateralin e kërkuar sollën shtrëngimin e standardeve të kreditimit për bizneset.

 

Bankat, po ashtu, treguan një tolerancë më të ulët kundrejt rrezikut. Shtrëngimi i kushteve e termave të kreditimit u arrit nëpërmjet elementeve çmim, dhe joçmim.

 

Kështu, bankat raportuan marzhe më të larta, kryesisht mbi kreditë me rrezik, reduktuan madhësinë e kredisë akorduar bizneseve, si edhe shtuan numrin e kushtëzimeve në marrëveshjet e kredisë, të nënshkruara me bizneset.

 

Edhe shkalla e miratimit të kredive për bizneset u raportua më e ulët në tremujorin e katërt. Në tremujorin e parë të 2023, standardet e kreditimit priten të jenë të shtrënguara për biznesin e vogël e të mesëm, ndërkohë që të mbeten thuajse të pandryshuara për biznesin e madh.

 

Burimi: Monitor https://www.monitor.al/kriteret-e-kreditimit-per-individet-dhe-bizneset-u-shtrenguan-perseri-ne-tremujorin-e-fundit-te-vitit-te-kaluar/


Më të lexuarat