
Shtohen kompanite, fluturimet perseri te shtrenjta
Futja e katër operatorëve të rinj në tregun e fluturimeve ajrore, pas falimentimit të Belle Air në tetor 2013, duhej të shoqërohej me çmime më të ulëta për shkak të një konkurrence më të fortë që do të ndodhte në kushtet e një tregu të lirë. Megjithatë e kundërta ka ndodhur. Çmimet janë rritur dhe kompanitë e reja të fluturimeve ofrojnë më pak destinacione, e madje më rrallë se më parë.
Rritjet e shënuara në këta muaj (prej 10-20% të biletave të udhëtimit), operatorët i shpjegojnë me kostot e pallogaritura mirë më parë, kur kostot nuk justifikonin ato çmime. Ndërsa, sipas tyre, problemi i qëndrueshëm i çmimeve të larta lidhet me praninë e vetëm një aeroporti ndërkombëtar.
Shqetësimin e ngrenë më së shumti agjencitë e udhëtimeve, të cilat përpiqen të ulin kostot e çdo elementi të paketës. Drejtuesit e agjencisë ATHS tregojnë se po zgjedhin gjithnjë e më shumë si alternativë nisjen apo mbërritjen e pasagjerëve në aeroportet e Maqedonisë dhe Kosovës.Sipas Besnik Vathit, administrator i kësaj kompanie “95% e turistëve shqiptarë që lëvizin me grupe për ture turistike i dërgojmë përmes aeroporteve të rajonit. Problemi i parë është ai mungesës së destinacioneve direkte nga Tirana, në një kohë kur aeroportet e rajonit kanë më shumë destinacione direkte”.
Sipas tij, krahasuar me Aeroportin e Tiranës, destinacionet janë 2-3 herë më shumë, pavarësisht popullsisë më të ulët. Por, një element i rëndësishëm sipas tij janë çmimet konkurruese që ofrojnë fluturimet nga Shkupi apo Prishtina. Sipas Vathit, “problemet e fluturimit ajror nuk janë të lidhura me një, dy apo tre kompani. Ato vijnë nga funksionimi i të vetmit aeroport në Shqipëri. Është një aeroport që ka një koncesion. Në sajë të këtij koncesioni ka krijuar disa monopole dhe për pasojë, edhe çmimet reale janë shumë të shtrenjta”.
Sipas operatorëve turistikë, kjo cungon edhe konkurrencën e lirë mes kompanive ajrore. Për z. Vathi, konkurrenca e lirë mes kompanive të fluturimit është e pamundur për sa kohë Shqipëria ka vetëm një aeroport ndërkombëtar. Por edhe fluturimet individuale, që nuk organizohen përmes agjencive, po zhvendosen te fqinjët. Shifrat konfirmojnë prirjen e pasagjerëve shqiptarë, apo atyre që vijnë në Shqipëri për të përdorur aeroportet e tjera në rajon e jo atë të Tiranës. Sipas të dhënave rajonale, të paktën në dy vitet e fundit, të favorizuar edhe nga shkurtimi i distancave rrugore, shqiptarët kanë nisur të “përdorin” për fluturime ekonomike aeroportet e fqinjëve, kryesisht atë të Prishtinës, Shkupit dhe disi më pak atë të Podgoricës, që janë të aksesueshme me makinë për dy apo tre orë nga kryeqyteti shqiptar dhe po përdoren nga udhëtarët shqiptarë si aeroporte “sekondarë”.
Vetëm pak ditë më parë, aeroporti “Adem Jashari” u vlerësua nga kompania ajrore britanike me kosto të ulët EasyJet (siç thuhet edhe në njoftimin zyrtar të kompanisë): “Për kontributin e çmuar në ofrimin e shërbimeve për kompaninë ajrore EasyJet, duke i mundësuar arritjen e targetit të performancës në kohë. Kategoria e aeroporteve (volum i ulët, që procesojnë 50 fluturime të EasyJet në muaj) përfshin jo më pak se 100 aeroporte të ndryshme ku ANP ‘Adem Jashari’, koncesionari “Limak Kosovo” merr këtë mirënjohje”. Ndaj, jo rastësisht (pra falë edhe udhëtarëve shqiptarë) Aeroporti i Prishtinës arriti gjatë vitit 2013 shifra rekord të pasagjerëve, në 1.6 milionë. Kështu, për shembull, për të shkuar në Verona, nga Aeroporti i Prishtinës duhen vetëm 69 euro; për në Bazel 59 euro; Zyrih 69 euro; Berlin 91 euro, në Munih dhe Hanover, 79 euro, ndërsa në Shtutgart 59 euro. Siç thuhet, çmimet janë më konkurruese në krahasim me udhëtimet që nisin nga aeroporti “Nënë Tereza” në Rinas.
E njëjta situatë vlen edhe për shtetin maqedonas, ku hungarezja Wizz Air ka shtuar ndjeshëm destinacionet e saj nga dy aeroportet e Maqedonisë, Shkupi dhe Ohri. Kjo kompani operon vetëm nga Shkupi me 14 destinacione europiane. Nga aeroportet e Malit të Zi ofrohen më shumë fluturime nga shoqëritë me kosto të ulët. Më e madhja është Norvegian Airlines, që ofron 102 fluturime dhe ndiqet nga Airberlin dhe Niki Airlines me 60 fluturime. Prej disa kohësh këtu vepron dhe kompania Easy Jet, që ofron fluturime drejt Londrës, duke nisur nga 70 euro.
Tarifat në rajon vlerësohet të jenë rreth 25% më të lira krahasuar me ato në Aeroportin e Tiranës dhe kjo nuk ka ndryshuar as me futjen e katër operatorëve të rinj në treg gjatë këtij viti. Kjo na lë të kuptojmë se as një shtim tjetër i pritshëm i kompanive të fluturimit nuk do të ulë çmimet. Drejtuesit e Aviacionit Civil theksojnë se do të ketë më shumë kompani fluturimi. Sipas drejtorit të Aviacionit Civil, Feliks Baçi, “procesi është i hapur dhe janë tre aplikantë që presin të futen në treg”.Shtimin e kompanive e pati njoftuar edhe ministri Haxhinasto, ku kishte parasysh pikërisht liberalizimin e tregut, që mund të na kushtojë prishjen e një koncesioni tjetër të dhënë nga qeveria e mëparshme, ose kosto më të larta fluturimi edhe për disa vite.
Krahasimi me aeroportet e tjera
Sipas të dhënave nga portali zyrtar i TIA-s, kriteri për përcaktimin e tarifave bazohet në ulje-ngritjet e avionëve, përpunimit në tokë, parkimit 24 orë, ndriçimi dhe pesha e avionëve. Të njëjtat kritere përdoren dhe nga aeroportet e tjera në vendet e rajonit. Por, raporti vëren se Shqipëria rezulton me tarifat e shërbimeve më të larta. Nga ana tjetër, vetëm Shqipëria dhe Kosova kanë nga një aeroport. Bosnjë-Hercegovina ka 3 aeroporte, Kroacia 8 aeroporte, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia kanë nga 2.
Ndërkohë që në marrëveshjen koncesionare dhe rishikimin e tarifave, në pikën 19, “Pagesat për shërbimet e aeroportit dhe vlerësimi ekonomik i pavarur” thuhet se “Organi i autorizuar shtetëror dhe shoqëria do t’i rishikojnë pagesat për shërbimet e aeroportit çdo tre vjet”/Monitor
Më të lexuarat








