Secondary Adv

Autoriteti i Konkurrences kritika per cmimet e fiksuara nga Bordi

Autoriteti i Konkurrencës ka shprehur më në fund një qëndrim zyrtar lidhur me Bordin e Transparencës për përcaktimin e çmimeve të karburanteve në vend.

 

Në vendimin që kishte objekt hetimin paraprak të tregut të naftës dhe benzinës, organi drejtues i këtij institucioni, Komisioni i Konkurrencës, gjykon se, në një situatë normale, çmimet e rekomanduara, ashtu si edhe ato të fiksuara mund të kenë efekte negative në konkurrencë.

 

“Çmimet e rekomanduara mund të ndihmojnë koordinimin e çmimeve midis konkurrentëve si pasojë e transparencës dhe mund të çorientojnë konsumatorët rreth nivelit të arsyeshëm të çmimit.

 

Çmimet e fiksuara janë instrumente rregullatorë, por që kanë efekt për konkurrencën dhe reduktojnë përfitimet e konsumatorëve që janë rezultat i konkurrencës së tregut.

 

Gjithashtu çmimet maksimale të fiksuara mund të mbrojnë konsumatorin nga çmimet e larta në treg, por krijojnë një mungesë të konkurrencës efektive,” thuhet në vendimin e Komisionit të Konkurrencës.

 

Shpeshherë, Komisioni i Konkurrencës ka dalë me rekomandime për qeverinë shqiptare lidhur me çështje që prekin problematika të konkurrencës në treg,

 

por në këtë rast nuk e ka bërë një gjë të tillë dhe ka preferuar të shmangë një pozicionim eksplicit lidhur me faktin nëse duhet të përdoret apo jo instrumenti i çmimeve maksimale të fiksuara në situatën aktuale.

 

Megjithatë, në arsyetimin e vendimit të hetimit për tregun me shumicë të karburanteve, Komisioni i Konkurrencës shprehet se “duke qenë se marzhi i fitimit aplikohet mbi koston mesatare të ponderuar të produktit e cila është e ndryshme për ndërmarrje të ndryshme,

 

rrjedhimisht dhe çmimi i shitjes mbi të cilin aplikohet marzhi duhet të jetë i ndryshëm midis konkurrenteve, por ky çmim nuk duhet të kalojë nivelin maksimal të përcaktuar nga Bordi i Transparencës”.

 

Në mars të vitit të kaluar, qeveria shqiptare vendosi, nëpërmjet akti normativ, për ngritjen e një Bordi Transparence, që përcakton një çmim maksimal me shumicë dhe pakicë të shitjes për karburantet, bazuar në çmimin e tyre në Bursë dhe duke njohur mbi këtë çmim disa kosto dhe marzhe fitimi fikse.

 

Ky vendim u motivua me situatën e jashtëzakonshme të krijuar pas shpërthimit të luftës në Ukrainë dhe me nevojën për të mbrojtur konsumatorët nga rritja e fortë e çmimeve.

 

Shumë ekspertë e kanë konsideruar të gabuar fiksimin e çmimeve, sepse kjo praktikë dëmton konkurrencën dhe ul elasticitetin e çmimit.

 

Megjithëse çmimet e përcaktuara nga Bordi janë të konsideruara si çmime tavan, në fakt shumica e kompanive të tregtimit me pakicë të karburantit dhe sidomos ato më të mëdha, në fakt, nuk i ulin asnjëherë çmimet poshtë nivelit të përcaktuar nga Bordi.

 

Burimi: Monitor https://www.monitor.al/autoriteti-i-konkurrences-cmimet-e-fiksuara-nga-bordi-i-karburanteve-kane-sjelle-pasoja-negative/


Më të lexuarat