Check-up, laborator i levizshem ekzaminimesh per banoret e zonave te largeta
Banorët e qytetit të Vlorës, sidomos ata të zonave rurale kanë mundësi të kryejnë kontrollin bazë falas edhe pranë banesave të tyre në rastet kur ata nuk mund të shkojnë të ekzaminohen tek qendrat Shëndetësore.
Ky shërbim iu ofrohet nëpërmjet laboratorit-mobil, i cili është vendosur në qytetin bregdetar dhe shkon deri në fshatrat më të largët për të kryer ekzaminimet në popullatë. Ky fakt është pohuar nga Zv/ministrja e Shëndetësisë, znj. Milva Ekonomi gjatë një vizite pune që ka kryer në kabinetet e check–up në qendrat shëndetësore në Vlorë dhe atë të Novoselës e shoqëruar edhe nga kreu i Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor, Dr. Eltar Deda.Mjekët e Qendrës Shëndetësore nr. 4 në Vlorë kanë pohuar se numri i kërkesave për check-up këtë vit është rritur ndjeshëm, ndërkohë që edhe numri i rasteve të cilët janë evidentuar me probleme shëndetësore për herë të parë nga kontrolli bazë ka qenë i lartë.Rezultatet e deri tanishme të kontrollit bazë në këtë qytet kanë treguar se 444 persona kanë rezultuar me hipertension, 220 me diabet, 255 me sëmundje kardiovaskulare, 220 me anemi të theksuar nga 10 550 ekzaminime të kryera në total.