Secondary Adv

Administrata nis vitin me udhetime, institucionet blene 117 bileta ne janar

Janari i këtij viti ka nisur me udhëtime të shumta të administratës shtetërore jashtë vendit.

 

Sipas Agjencisë së Prokurimeve Publike, për këtë muaj janë bërë 59 tendera për blerjen e 117 biletash avioni me destinacione në shtete të Europës, Arabisë dhe Azisë.

 

Viti 2023 mesa duket ka nisur me udhëtime të shumta për punonjësit e administratës. Sipas të dhënave të publikuara nga Agjensia e Prokurimeve Publike, rezulton se vetëm gjatë muajit janar janë zhvilluar 59 tendera për blerje biletash udhëtimi.

 

Në total do të blihen 117 bileta, ndërsa institucionet që kanë pasur më shumë procedura për blerje biletash janë qeveria, Bashkia e Tiranës, Ministria e Arsimit Sportit dhe Rinisë, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe Drejtoria e Përgjithshme e RTSH, me katër të tilla.

 

Destinacionet e udhëtimeve janë nga më të ndryshmet, ndërsa më i kërkuari është Belgjika me 19 udhëtime, më pas vjen Franca me 8 udhëtime. Më pas vjen Italia, Zvicra, Gjermania dhe Portugalia me 4 udhëtime.

 

Madje kërkesa për blerje biletash avioni nga institucionet në vend, ka pasur edhe për shtetet arabike dhe aziatike si Omani, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Behraini.

 

Si në rastet e mëparshme, në këto prokurime nuk janë specifikuar se sa do jetë kostoja për blerjen e biletave, pasi përllogaritet vetëm pas ofertave. Por nëse i referohemi prokurimeve të mëparshme, një biletë avioni pa akomodim në hotel fillon nga 20 mijë lekë të reja.

 

Nëse 117 bileta do t’i llogarisim vetëm me çmimin minimal, kjo është një tjetër barrë që bie mbi taksat e qytetarëve që shkojnë mijëra euro për udhëtime të administratës./Burimi: Oranews.tv


Më të lexuarat