Secondary Adv

Inflacioni i larte ndikon ne depozitat e bizneseve, u rriten 16 per qind

Depozitat e biznesit kanë shënuar një rritje të ndjeshme gjatë vitit të kaluar.

 

Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, vlera e depozitave bankare të sipërmarrjeve në fund të muajit nëntor 2022 arriti në 297.2 miliardë lekë, në rritje me 16% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

 

Rritja e depozitave të bizneseve është rreth 130% më e lartë krahasuar me segmentin e individëve.

 

Depozitat e biznesit përbëjnë tashmë rreth 19.6% të totalit të depozitave bankare në Shqipëri. Edhe pesha e tyre specifike është rritur krahasuar me një vit më parë, kur ato përbënin rreth 18.4% të totalit.

 

Në periudhën pas pandemisë, depozitat nisën një tendencë rritje me ritme të larta, si në segmentin e individëve, ashtu edhe në atë të bizneseve. Vlerësohet se kjo rritje e depozitave fillimisht u motivua nga pasiguria që përcolli pandemia dhe më tej nga një rritje e shpejtë e aktivitetit ekonomik, veçanërisht gjatë vitit 2021.

 

Viti 2022 solli një ngadalësim të rritjes së depozitave të individëve, për shkak të rritjes së kostos së jetesës, por edhe për shkak të orientimit të tyre drejt produkteve më fitimprurëse, kryesisht bono dhe obigacione të qeverisë shqiptare.

 

Në segmentin e biznesit, ndërkohë, rritja e depozitave ka vijuar me ritme dyshifrore. Kjo rritje mund të jetë ndikuar nga disa faktorë, ku më i dukshmi mund të ketë qenë inflacioni. Vitin e kaluar inflacioni arriti nivelet më të larta të 24 viteve të fundit. Rritja e çmimeve mund të ketë ndikuar gjithashtu në shtimin e gjendjes së llogarive bankare të bizneseve.

 

Një ndikim pozitiv mund të ketë dhënë gjithashtu sezoni pozitiv turistik. Sipas Bankës së Shqipërisë, të ardhurat bruto nga turizmi hyrës për 9-mujorin 2022 arritën vlerën rekord prej 2.2 milionë eurosh, në rritje vjetore me 49%.

 

Sektori i turizmit vlerësohet se ka dhënë një impakt të rëndësishëm në rritjen ekonomike dhe në të ardhurat e të gjithë zinxhirit të biznesit të lidhur me të, sidomos në sektorët e industrisë përpunuese, tregtisë, hotelerisë, restoranteve.

 

Në fakt, kontributin kryesor në rritjen e depozitave të biznesit e kanë dhënë depozitat në valutë të huaj, ndërsa në monedhën vendase rritja ka pasur përmasa mjaft modeste.

 

Një faktor tjetër me ndikim të konsiderueshëm mund të jetë edhe vijimi i mbështetjes me kredi nga sektori bankar. Pas mesit të vitit 2020, kreditimi i ekonomisë, përfshi biznesin, i është kthyer ritmeve normale, madje më të larta krahasuar me një vit më parë.

 

Bankat kanë vazhduar të mbështesin bizneset me linja financimi, duke lënë në dispozicion likuiditete shtesë në llogaritë e tyre.

 

Kredia e re për biznesin gjatë 11 muajve të vitit 2022 është rritur 12.8% me bazë vjetore, duke shënuar nivelet më të larta në shtatë vitet e fundit./Burimi: Monitor (https://www.monitor.al/viti-inflacionist-shendoshi-depozitat-e-biznesit-u-rriten-me-16-krahasuar-me-nje-vit-me-pare/)


Më të lexuarat