Secondary Adv

Harta e re gjyqesore prej 1 Shkurtit, Mbyllen 5 Gjykata Apeli ne rrethe

Gjykatat e Apelit në Shkodër, Vlorë, Durrës, Korçë dhe Gjirokastër do të mbyllen më datën 1 shkurt.

 

Të gjitha dosjet penale e civile aktualisht po transferohen në Apelin e Tiranës. Ndërsa nëpër rrethe do të mbeten vetëm zyrat për depozitimin e ankesave.

 

Në gjykatat e Apelit ka nisur puna për transferimin e dosjeve dhe stafeve drejt Tiranës. Bazuar në hartën e re gjyqësore, prej datës 1 shkurt do të mbyllet Apeli i Shkodrës, Vlorës, Durrësit, Korçës dhe Gjirokastrës.

 

Kreu i dhomës së avokatisë në Vlorë, Durim Bajramaj tha se qytetarëve do t’u duhen shumë vite për të marrë drejtësi, pasi ka ende pa shqyrtuar dosje të 2017-ës.

 

Në total nga gjykata e Apelit të Vlorës transferohen në Tiranë 4234 dosje nga të cilat 2981 çështje civile dhe 1253 çështje penale.

 

Ndërsa në godinën aktuale të Gjykatës do qëndrojnë hapur vetëm një zyrë informacioni për qytetarët.

 

Në një komunikim të Report Tv me kryetarin e Gjykatës së Apelit Shkodër Fuat Vjerdha mësojmë se vendimi ka ardhur i formës së prerë nga KLGJ dhe tashmë seancat gjyqësore do të zhvillohen në Tiranë.

 

Ndërsa në godinën e Apelit Shkodër, e ndërtuar vitet e fundit do jetë vetëm një sportel me 3 punonjës.

 

Administrata do vendoset në shërbim te Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër ndërsa një pjesë e vogël e stafit mund të mbetet pa punë. Transferimi i dosjeve dhe gjyqtareve ka nisur dhe nga Gjykatat e Apelit në Durrës, Korçë e Gjirokastër.  

 

Kësisoj në rrethe mbetet vetëm një staf i reduktuar i administratës për apelimin e çështjeve të shkallës së parë, ndërsa të gjitha seancat do të zhvillohen në Tiranë. Nga gjykata e Apelit të Gjirokastrës do të transferohen 600 dosje, nga ai i Korçës 937 dosje dhe nga Shkodra 3959 dosje. 

 

Qeveria shqiptare ka miratuar hartën e re gjyqësore e cila shkrin 18 gjykata në rang vendi dhe pritet të nis implementimin duke filluar nga 1 shkurti. Shqipëria ka 6 apele në të gjithë vendin dhe reduktohet në një Apel kombëtar.

 

Ndërsa 13 do të jetë numri i gjykatave të shkallës së parë nga 22 që është aktualisht. Me vendimin e ri shkrihen gjykatat në Tropojë, Krujë, Lushnje, Pogradec, Mat, Përmet, Kurbin, Kavajë, Pukë. /Burimi: Shqiptarja.com


Më të lexuarat