Secondary Adv

Indeksi i Lirise Njerezore: Shqiperia perkeqesohet me 5 pozicione, por te paret ne rajon

Sipas Indeksit të Lirisë Njerëzore 2022, të përpiluar nga “Instituti Fraser”, Shqipëria renditet në vend të 47-të sa i përket lirive njerëzore.

 

Në këtë indeks, i cili mbulon 165 juridiksione për vitin 2020, viti më i fundit për të cilin disponohen të dhëna të mjaftueshme në çdo kategori, trajtohen jo vetëm liritë personale, por edhe liritë civile dhe ato ekonomike.

 

Në analizë merren shumë indikatorë, si: sundimi i ligjit, siguria, liria e lëvizjes, besimi, shoqëria civile, liria e shprehjes dhe e informimit, sistemi ligjor, të drejtat e pronës, madhësia e qeverisë, aksesi në financim, tregti ndërkombëtare, etj.

 

Pavarësisht se kemi një renditje pozitive dhe renditemi mes 50 vendeve të para në botë, duke lënë pas vende si Polonia apo Greqia, të dhënat e raportit për Shqipërinë nuk janë aq optimiste nëse e krahasojmë me vitin paraardhës. Shqipëria ka rënë me 5 pozicione krahasuar me vitin 2019-të dhe po ashtu ka rënë edhe në pikëzim.

 

Sa i përket lirive ekonomike, Shqipëria renditet mes 30 vendeve të para në botë, ose më konkretisht në vend të 26-të. Nga ana tjetër, sa i përket lirive personale vendi ynë renditet i 58-i në botë.

 

Krahasuar me rajonin, Shqipëria renditet në vend të parë për liritë njerëzore duke lënë pas Maqedoninë e Veriut me një diferencë shumë të vogël në pikëzim. Në vend të tretë në rajon renditet Mali i Zi, i cili pozicionohet në vend të 60-të në indeks.

 

Pasohen nga Bosnje Hercegovina në vend të 63-të dhe Serbia në vend të 69-të, ndërsa Kosova nuk gjendet në këtë renditje.

 

Gjithashtu, në Europën Lindore, Shqipëria konsiderohet si vendi i 11-të më i lirë, duke lënë pas shumë vende të tjera, ndërkohë që në vend të parë në kategorinë gjeografike të Europës Lindore është Estonia.

 

Vendet që konsiderohen më të lira në Indeksin e Lirisë Njerëzore 2022 janë Zvicra, Zelanda e Re dhe Estonia. Vendet që vijnë pas Estonisë janë Danimarka, Irlanda, Suedia, Islanda, Finlanda, Holanda dhe Luksemburgu.

 

Ndërkohë në vend të fundit gjejmë vende si Siria, Jemeni dhe Venezuela./Scan Intel


Më të lexuarat