Secondary Adv

Furnizim me uje 24 ore ne Durres, Shkon ne Kuvend marreveshja per huan 60 mln euro

Me marrëveshjen për huanë 60 milionë euro, Durrësi do të ketë 24 orë ujë.

 

Është depozituar në Kuvend marrëveshja e qeverisë shqiptare me agjencinë franceze të zhvillimit për huan 60 000 000 euro, për një periudhë maturimi (pra shlyerje 20 vite).

 

Marrëveshja parashikon investime në rrjetin e kanalizimit të qytetit të Durrësit, investime në burimet ujore të këtij qyteti, përmirësimin e cilësisë së ujit dhe krijimin e një masterplani për sektorin e UKD deri në vitin 2040.

 

Marrëveshja vjen në kuadër dhe të premtimit të qeverisë për ujë 24 orë dhe për 7 ditë brenda fundit të këtij mandati.

 

Objektivat e projektit mbulojnë tre akset e zhvillimit të qëndrueshëm të shërbimit të furnizimit me ujë: Realizimi me sukses i programit do të sjellë në mënyrë të drejtpërdrejtë përmirësimin e performancës së Ujësjellës Kanalizimeve Durrës.

 

Kjo, marrëveshje vjen në zbatim të përmbushjes të objektivave të qeverisë shqiptare dhe premtimit të bërë nga vetë kryeministri Edi Rama gjatë fushatës elektorale të vitit 2021, për furnizim me ujë 24 orë dhe në 7 ditë të javës.

 

Objektivat që pritet të realizohen nga ky financim janë: Përmirësimi i mbulimit të shërbimit të furnizimit me ujë brenda territorit ku operon Ujësjellës Kanalizime Durrës, ulja e humbjeve në rrjet, rritja e cilësisë së ujit të transmetuar në rrjet.

 

Objektivat kryesore të zhvillimit të programit:

 

Përmirësimi i mbulimit të shërbimit të furnizimit me ujë brenda zonës së shërbimit të sh.a., Ujësjellës Kanalizime Durrës (UKD), nëpërmjet rritjes së numrit të klientëve dhe zhvillimit të shërbimit të vazhdueshëm brenda qytetit të Durrësit dhe përgjatë sistemeve.

 

Këto objektiva synohen të arrihen nëpërmjet Rehabilitimit të rrjetit të shpërndarjes të furnizimit me ujë në qytetin e Durrësit, me një vlerë, përafërsisht 37 milionë euro.

 

Rehabilitimi dhe përmirësimi i linjës së transmetimit me ujë të Fushë Kuqes, me një vlerë, përafërsisht, 15.7 milionë euro. Parashikohet zëvendësimi i linjës së transmetimit me ujë të Fushë Kuqes, rehabilitimi i plotë i puseve, si dhe stacioneve të pompimit etj.

 

Realizimi i këtij komponenti, jo vetëm do të shtojë sasinë e ujit në transmetim, cilësinë, por do të garantojë efiçencë në energji, e vlerësuar deri në 10 GWh/vit.

 

Po ashtu, pritet hartimi i një masterplani për ujërat e përdorura (sanitar) për zonën e Durrësit. Ky komponent do vendosë në dispozicion të Ujësjellës Kanalizime Durrës një masterplan gjithëpërfshirës sanitar në terma afatgjatë 2040 me rekomandime për investime në infrastrukturë si për zonat rurale ashtu edhe për ato urbane në rajonin e Durrësit.

 

Për zbatimin e marrëveshjes është përgjegjëse Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve, Njësia së Koordinimit të Projektit (PCU).

 

Ndërkohë në relaiconin e projektligjit sqarohet dhe se si do shlyhet huaja, e cila ka një interes 6 mujor 1.45%, komision vlerësimi 0.5% në vit, komision angazhimi 0.5% në vit dhe maturimi 20 vjet. Periudha e mos pagimit është 5 vite, pra nisja e shlyerjes së huas nis pas pesë vitesh.

 

Kujtojmë se Franca dha më 15 nëntor një hua prej 60 mln euro për ujësjellësin e Durrësit, një premtim ky që u bë në periudhën gjatë tërmetit të vitit 2019 nga Presidenti francez, Macron theksoi aso kohe kryeministri Rama./Burimi: Shqiptarja.com


Më të lexuarat