Secondary Adv

Koncesioni i pullave fiskale shtyhet me 2 vjet, Parashikohet 10 per qind ulje e tarifes

Koncesioni i pullave fiskale nuk përfundon më 6 shkurt 2023, siç parashikoi më parë Ministria e Financave dhe Ekonomisë, por do të shtyhet deri më dhjetor 2024.

 

Në projektligjin “Për miratimin e kontratës shtesë për ndryshimin e kontratës sё koncesionit, ndërmjet Ministrisë së Financave dhe Ekonomisё, si autoritet kontraktues, dhe shoqërive “sicpa security solutions” sha e “Sicpa Security Solutions Albania”, sh.p.k.,

 

Për projektimin, financimin, dizenjimin, prodhimin dhe ngritjen e një sistemi për emetimin, shpërndarjen, gjetjen dhe monitorimin e pullave fiskale e të pullave të kontrollit të barnave, miratuar me ligjin nr.10381, datë 24.2.2011” të miratuar nga Këshilli i Ministrave sipas burimeve koncesioni do të shtyhet edhe 2 vite te tjera.

 

Drafti parashikohet të rishikojë edhe tarifën e pullave fiskale. Tarifa e re të ulet 10% nga vlera aktuale.

 

Tarifa e lartë e pullave fiskale është kundërshtuar ashpër nga bizneset e mallrave të akcizës, pasi rëndon kostot prodhuese.

 

Në Shqipëri tarifa e pullave fiskale është 22,4 USD për 1,000 copë, ndërsa në Europë çmimi mesatar i pullave fiskale është 3 USD për 1,000 copë, në Kosovë 2,2 USD. Sipërmarrësit vendas paguajnë gati rreth herë më shumë në raporti me çmimin mesatar të pullave në Europë.

 

Sakaq më herët Ministria e Financave dhe Ekonomisë do të deklaronte se kontrata është ligjërisht e blinduar për rishikimin e tarifave të pullave fiskale. Referuar kontratës të koncesionit drejtori i MFE-së, Edmond Ahmeti ka pohuar më herët se në asnjë nen të saj nuk mundësohet rishikimi i çmimit të pullave fiskale.

 

Tarifa e pullave fiskale është përcaktuar në partneritet mes koncensionarit dhe qeverisë të kaluar, pas analizave të volumit të ardhurave të mallrave të akcizës të paraqituara nga qeveria shqiptare, ku mësohet se ka pasur deklarim fiktiv 30% më shumë të ardhurave të akcizës.

 

Bizneset kanë ngritur gjithashtu shqetësimin se kontrata koncesionare nuk ka zgjidhur problemin e tregtisë së paligjshme dhe informalitet.

 

Tashmë u bënë 10 vjet që sipërmarrësit e mallrave të akcizës paguajnë tarifën e pullës fiskale. Për shumë vit radhazi kontrata ka mbajtur në pikëpyetje afatin e përfundimit të saj. nisur nga shqetësimet e herëpashershme të bizneset 1 vit më parë MFE dhe Avokatura e Shtetit ngriti një grup pune për të zgjidhur ngërçin e krijuar për përfundimin e kontratës.

 

Grupi i punës i strukturave që mori në shqyrtim kontratën koncensionare arriti në përfundimin se data e nisjes të kontratës është e përcaktuar në procesverbalin e përbashkët e mbajtur në atë kohë ku autoriteti konfirmon, si datë efektive 6 shkurt 2013.

 

Por për kompaninë koncensionare SICPA Security Solutions Albania data efektive e kontratës konsiston nga nisja e zbatimit të komponentit të plotësuar që është ai i vendosjes së pullave fiskale te barnat.

 

Kompania koncensionare pretendon se me fuqizimin e këtij elementi afati i zbatimit vijon edhe për 10 vite të tjera. Kompania prej vitesh mban të pezulluar investimin e ngritur prej saj për vënien në punë të elementit të kontratës për vendosjen e pullave fiskale te barnat.

 

Në vitin 2016 qeveria aktuale miratoi projektligjin për ndryshimin e kontratës të koncesionit.

 

Qëllimi i propozimit të këtij projektligji ishte ndryshimi i kontratës së koncesionit (me anë të një kontrate ndryshuese) për ngritjen e një sistemi kombëtar për kontrollin dhe gjurmueshmërinë e barnave si dhe ngritjen e një sistemi kontrolli antimashtrim të shpërndarjes së barnave në vend.

 

Zbatimi i kësaj marrëveshjeje synonte të arrinte një sistem të plotë që jep siguri në qarkullimin e barnave në të gjithë territorin, nëpërmjet gjurmimit të barnave në të gjithë rrugën që ato ndjekin deri tek pacientët.

 

Por Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë rrëzoi projektligjin me shumicën e votave të anëtarëve të pranishëm, pasi nisma do të ndikonte në rritjen e çmimeve të barnave. Pulla e siguruar e barnave do të ishte me çmim 2.4% të çmimit të shitjes me pakicë të çdo produkti farmaceutik.

 

Nga kjo marrëveshje humbiste edhe sistemi i gjurmimit track and trace të barnave dhe sistemi i pullave dyfishe të barnave, i cili i lejonte FDSKSH për gjurmimin e recetave fallso. Projektligji i paraqitur në Kuvend më 7 tetor 2016, që më pas është tërhequr, nuk parashikonte ndryshime të afatit të kontratës.

 

/Burimi: Monitor (https://www.monitor.al/koncesioni-i-pullave-fiskale-do-te-shtyhet-edhe-me-2-vjet-parashikohet-edhe-10-ulja-e-tarifes/)


Më të lexuarat