Secondary Adv

Bankat qendrore vendosin te rrisin normat e interesit ne nivelet me te larta te 15 viteve

Bankat qendrore kryesore do të rrisin normat e interesit këtë javë në nivelet më të larta që nga kriza financiare.

 

Çmimet e obligacioneve janë rritur me shpejtësi që nga fillimi i këtij viti krahasuar me nivelet historike të vitit të kaluar, pasi tregjet vlerësojnë se rritja e normave të interesit do të ngadalësohet dhe, në rastin e Rezervës Federale të SHBA, normat do të fillojnë të ulen. Por, disa investitorë kanë dyshime lidhur me këtë.

 

“Unë mendoj se tregu tani po zgjohet për të parë mjedisin real makroekonomik dhe jo atë që pjesëmarrësit në treg do të shpresonin të ishte,” tha Monica Erickson, drejtuese e kredisë për shkallën e investimeve në DoubleLine Capital.

 

“Do të jetë përsëri shumë e vështirë për Fed që ta ulë inflacionin në shifrën magjike prej 2 për qind, pa na futur në recesion.”

 

Maureen O’Connor, drejtuese globale e sindikatës së borxhit të nivelit të lartë në Wells Fargo, tha: “Tregjet e kredisë po vlerësojnë në mënyrë efektive një rezultat pa recesion. Por, ky nuk është konsensusi bazë që parashikohet nga shumica e ekonomistëve.”

 

Një indeks i Bloomberg që gjurmon obligacionet e qeverive dhe të korporatave në të gjithë botën është rikthyer në nivelin 3.3 për qind deri në këtë periudhë të vitit 2023, duke hapur kështu rrugën që ai të arrijë nivelin më të lartë për muajin janar që nga viti 1999.

 

Flukset hyrëse në fondet e obligacioneve të korporatave në SHBA dhe në Europën Perëndimore kanë pasur periudhën e tyre më të mirë ndonjëherë gjatë muajit janar, duke arritur në 19.3 miliardë dollarë deri më 26 janar, sipas të dhënave nga EPFR.

 

Fed, Banka Qendrore Europiane dhe Banka e Anglisë do të organizojnë takime këtë javë lidhur me përcaktimin e politikave monetare. Investitorët presin që Fed të ngadalësojë ritmin e shtrëngimit të saj monetar në 0.25 pikë përqindjeje, duke rritur normat në nivelin më të lartë që nga shtatori i vitit 2007, fillimi i krizës financiare globale.

 

Nga ana tjetër, pritet gjerësisht që BoE dhe BQE të rrisin normat me gjysmë pikë përqindjeje, duke arritur kështu nivelet më të larta që nga vjeshta e vitit 2008, kur Lehman Brothers paraqiti kërkesën për falimentim.

 

Ka disa indikatorë se presionet e çmimeve po rezultojnë të jenë të vazhdueshme përballë këtyre rritjeve të shpejta dhe të koordinuara globalisht të normave – dhe hendeku midis pritshmërive të investitorëve dhe të dhënave ekonomike sa vjen e po zgjerohet.

 

/Burimi: Monitor (https://www.monitor.al/bankat-qendrore-vendosin-te-rrisin-normat-e-interesit-ne-nivelet-me-te-larta-te-15-viteve-teksa-shtohen-shqetesimet-e-investitoreve/)


Më të lexuarat