Secondary Adv

MF: Dosjet e ish te denuarve politike duke filluar nga marsi do te jene ne sistem online

Ministria e Financave ka nisur ndërtimin e një sistemi informatik, nëpërmjet të cilit të kryhet i gjithë procesi i pagesave për ish të dënuarit politikë, njoftoi dje zyra e shtypit. Ky sistem do të përdoret për realizimin automatik të të gjithë procesit, që nga regjistrimi i dosjeve e deri në ekzekutimin e pagesave, si dhe do të ofrojë transparencë të plotë për të gjitha veprimet e kryera.


Përdorimi i këtij sistemi do të ndikojë ndjeshëm dhe në përshpejtimin e procesit, duke eliminuar, sa më shumë të jetë e mundur, punën manuale dhe duke siguruar automatizimin e saj. Projekti ka nisur në gusht 2015 dhe sistemi do të fillojë funksionimin online në mars 2016. Ministria e Financave ka nisur prej kohësh procesin e pagesave për dëmshpërblimin e ish të dënuarve politikë, proces i cili ka rezultuar i gjatë dhe i vështirë.

 

Kështu, nga viti 2007 deri 2013 janë paguar ata ish të dënuar, të cilët jetojnë, si dhe trashëgimtarët për këstin e tyre të parë dhe një pjesë e kësteve të dyta me një shumë totale prej 9.39 miliardë lekësh dhe me një përqindje realizimi mesatarisht 84.83%.


Gjatë vitit 2014, janë paguar gjithsej për këst të parë rreth 1,374 përfitues me një shumë totale prej 275 milionë lekësh. Ecuri pozitive është shënuar edhe gjatë vitit 2015. Një nga objektivat e Ministrisë së Financave, për vitin 2016, është përfundimi i plotë i shpërndarjes së këstit të pestë dhe fillimin e likuidimit të këstit të gjashtë për kategorinë parësore (ish të përndjekurit që janë gjallë), si dhe vazhdimin me përpikëri dhe seriozitet të shpërndarjes së fondit sipas numrit rendor të kësteve pasardhëse për kategorinë joparësore.


Dokumentet
Kategoria e subjekteve përfituese parësore, duhet të dërgojnë për çdo këst në Ministrinë e Financave, dorazi në protokollin e institucionit ose me postë në adresën: Ministria e Financave, Drejtoria e Pagesave dhe Dëmshpërblimeve, dokumentacionin e caktuar. Ish të dënuarat politike, që jetojnë në momentin e dhënies së pagesës, duhet që, përveç numrit të llogarisë bankare, të dorëzojnë certifikatë personale jo më e vjetër se një javë nga data e dorëzimit.


Ish të dënuarit politikë, që kanë moshën mbi 75 vjeç, duhet të paraqesin certifikatë personale jo më e vjetër se një javë nga data e dorëzimit. Ata që vuajnë nga sëmundje të rënda, duhet të dorëzojnë dokumentacioni që vërteton sëmundjen. Përfituesit që jetojnë në momentin e dhënies së pagesës, të cilët kanë pasardhës të radhës së parë në moshë të mitur, dorëzojnë certifikatë familjare ku të përfshihet fëmija i mitur dhe certifikatë personale të fëmijës/fëmijëve të mitur.


Për kategorinë e ish të dënuarve politikë që nuk jetojnë dhe që kanë trashëgimtarë të radhës së parë, të cilët janë të mitur, duhet të dorëzohet certifikatë vdekje të ish të dënuarit politik, certifikatë të trungut familjar, ku të përfshihen: fëmija/fëmijët e mitur. Po ashtu, kërkohet: certifikatë personale e të miturit/miturve; akt trashëgimie ligjore për të dënuarin politik; vendim gjykate të kujdestarisë mbi të miturin në rastin kur edhe nëna/babai i të miturit nuk jeton më. Kur ish i dënuari politik që jeton ka humbur zotësinë juridike për të vepruar, kujdestari ligjor, dërgon vendim gjykate për përcaktimin e kujdestarit ligjor.


Më të lexuarat