Secondary Adv

Vrojtimi i BSH, konsumatoret optimiste per te ardhmen e ekonomise

Besimi i konsumatorit te ecuria e ekonomisë ka vijuar rritjen edhe në këtë fillimviti, duke ju afruar mesatares asfatgjatë.

 

Vrojtimi periodik që kryen Banka e Shqipërisë për matjen treguesit të ndjesisë ekonomike ka konkluduar se besimi konsumator vijoi të përmirësohet për të katërtin muaj rresht, duke iu afruar më shumë mesatares historike.

 

Niveli i tij u rrit me 0.9 pikë përqindje në janar, duke qëndruar vetëm rreth 4 pikë nën mesataren historike. Rritja u ndikua nga pritjet më optimiste për situatën ekonomike e financiare, si dhe për blerjet në shuma të mëdha në të ardhmen.

 

Paralelisht, në rritje ka ardhur për këtë fillimviti edhe Treguesi i ndjesisë ekonomike, duke shënuar nivelin 106.3. Përmirësimi u përcaktua nga rritja e besimit në sektorin e shërbimeve dhe rritja e besimit konsumator.

 

Dhe ka qenë pikërisht sektori i shërbimeve ai që ka dhënë kontributin më të madh të treguesve në muajin janar. Sipas vrojtimit të Bankës së Shqipërisë, treguesi i besimit në shërbime vijoi prirjen rritëse për të katërtin muaj rresht, duke u rritur me 4.3 pikë përqindje në janar.

 

Si rrjedhim, niveli i tij vijon të mbetet ndjeshëm mbi mesataren historike, rreth 13.2 pikë përqindje më lart. Rritja u ndikua nga vlerësimet pozitive për ecurinë aktuale të biznesit dhe për nivelin e kërkesës.

 

Vlerësimet e bizneseve të shërbimeve për nivelin e punësimit nuk kanë ndryshime të ndjeshme nga muajt e kaluar. Pritjet e tyre për ecurinë e çmimeve në të ardhmen vlerësohen me rritje.

 

Ndërkaq, Treguesi i besimit në tregti ra me 1.1 pikë përqindje në  muajin janar, por mbeti 1.2 pikë përqindje më i lartë se niveli mesatar.

 

Bizneset e tregtisë vlerësuan me rënie ecurinë aktuale të biznesit të tyre, si dhe pritjet e punësimit. Gjithashtu, pritjet për çmimet në të ardhmen u vlerësuan me rënie./Burimi: SCAN


Më të lexuarat