Secondary Adv

Tatimet paralajmerojne bizneset: Deklaroni te gjitha faturat e shitjes

Drejtoria e Tatimeve ka paralajmëruar bizneset që të jenë të kujdesshëm gjatë deklarimit të faturave të shitjeve, gjatë procesit të deklarimit të librave.

 

Në njoftimin zyrtar thuhet: “Duke marrë shkas nga disa raste të vërejtura nga Administrata Tatimore, për diferenca midis Librit të Shitjes deklaruar në sistemin e-filing dhe faturave të regjistruara në sistemin e Fiskalizimit,

 

Administrata Tatimore i sjell në vëmendje tatimpaguesve të jenë të kujdesshëm në procesin e deklarimit të Librave duke përfshirë të gjitha Faturat e Shitjeve. Mosdeklarimi i saktë do të sjellë penalitete të mundshme nga Administrata Tatimore.

 

Nëpërmjet këtij njoftimi Administrata Tatimore i rikujton tatimpaguesve të kenë shumë kujdes në Deklarimet Mujore për të shmangur penalitetet!”.

 

Më herët tatimet njoftuan se ka përfunduar pas 2 vitesh nga nisja procesi i fiskalizimit të bizneseve, me 100% të bizneseve, që janë tashmë të fiskalizuara. Ky proces mundëson deklarimin në kohë reale në faturave të shitjes dhe të blerjes dhe u mundëson tatimeve që të bëjnë kontroll real të faturimeve.

 

Sipas të dhënave të administratës për vitin 2022 janë fiskalizuar 104,795 tatimpagues, ku 78,012 prej tyre janë biznese të vogla dhe 26,783 janë subjekte të mëdhenj. Faza I e procesit të fiskalizimit nisi nga 1 janari 2021 për transaksionet mes enteve publike.

 

Faza II, që nisi më 1 korrik 2021, përfshiu në procesin e ri të faturimit, transaksionin pa para në dorë mes bizneseve. Në këtë fazë u hasën shumë probleme me bllokimin e portalit SelfCare për shkak të mbingarkesës.

 

Faza III dhe përfundimtarja, u konsiderua dhe më delikatja, pasi nga 1 shtatori 2021 u përfshinë në fiskalizim edhe bizneset e vogla për shitjet me para në dorë.

 

Për këtë kategori fillimisht qeveria miratoi aktin normativ në ligjin për procedurat tatimore për mos aplikimin e dënimeve administrative deri në 31 dhjetor 2021. Për subjektet e vogla afati i periudhës pa penalitete për fiskalizimin u shty deri më 30 qershor 2022.

 

Penalitetet për subjektet e vogla nisën të aplikohen pas 30 qershorit 2022, sipas ndryshimeve të Aktit Normativ në ligjin “Për procedurat tatimore”.

 

Periudha pa gjoba deri në fund të qershorit 2022 u zbatua edhe për ndërmarrjet që ofrojnë furnizimin me ujë për konsumatorët finalë, si dhe tregu i rregulluar i energjisë elektrike; bankat apo institucionet financiare për njoftimin e pagesave të e- Faturave të lëshuara nga subjektet tatimpaguese.

 

Burimi: Monitor https://www.monitor.al/tatimet-kujdes-deklaroni-te-gjitha-faturat-e-shitjes/


Më të lexuarat