Secondary Adv

Qeveria miraton statusin special per hotelin me 5 yje ne Palase

Qeveria ka miratuar këtë javë statusin e veçantë “investitor në strukturë akomoduese me 5 yje, status special” për Green Coast sh.p.k.

 

Vendimi i publikuar këtë të premte në Fletoren Zyrtare saktëson se përgjegjëse për zbatimin e këtij vendimi është ministria përgjegjëse për turizmin.

 

Green Coast sh.p.k, pjesë e Balfin Group po zhvillon një projekt në Jug të vendit dhe konkretisht në Palasë ku përveç vilave është angazhuar edhe në ndërtimin e një hoteli markë me 5 yje. Projekti ka përfituar gjithashtu statusin e investimit strategjik.

 

Por çfarë përfiton në fakt projekti nga marrja e statusit special. Qysh nga viti 2018 qeveria miratoi një paketë ligjore që synonte lehtësime fiskale për kompanitë që do të angazhohenin në sjelljen e markave ndërkombëtare në fushën e hotelerisë.

 

Konkretisht sipas ndryshimeve ligjore, hotelet me 4 dhe 5 yje paguajnë tatimfitim për një periudhë 10-vjeçare nëse arrijnë që të përfitojnë statusin special.

 

Sipas ligjit, përjashtimi nga tatimfitimi, aplikohet për një periudhë 10-vjeçare për ato struktura, të cilat përfitojnë autorizimin nga Këshilli i Ministrave deri në dhjetor 2024.

 

Efektet e përjashtimit nisin në momentin e fillimit të veprimtarisë ekonomike të strukturës akomoduese, por jo më vonë se 3 vjet nga marrja e statusit special.

 

Në atë kohë u bë gjithashtu vendosja e një niveli TVSH-je prej 6 për qind për furnizimin e shërbimeve që ofrohen në hotelet me 5 yje me status special. Më parë ky nivel TVSH-je ofrohej vetëm për furnizimin e shërbimit të fjetjes në gjithë strukturat akomoduese në vend.

 

Por trajtimi i diferencuar bëhet vetëm për ata me status special, që do të thotë se edhe bar-restorantet, saunat, pishinat, shelzonget e këtyre hoteleve do të faturojnë shërbimin me 6% TVSH.

 

Hotelet kanë lehtësi edhe te taksa e infrastrukturës. Për të gjithë ata që kanë statusin special si hotele me pesë yje (brand name), taksa e infrastrukturës është zero.

 

Projekti i hotelit në Green Coast

Grupi BALFIN po zhvillon në Jug të vendit projektin për ndërtimin e të parit “MGallery hotel”, një markë luksoze, pjesë e portofolit të grupit ndërkombëtar “Accor”.

 

Më herët kompania konfirmoi për Monitor se punimet pritet të përfundojnë në vitin 2024. Hoteli do të ofrojë 118 dhoma dhe suita luksoze./Burimi: Monitor https://www.monitor.al/qeveria-miraton-statusin-special-per-hotelin-me-5-yje-green-coast-ne-palase/


Më të lexuarat