Secondary Adv

Mbi 1800 viktima nga termeti ne dy shtetet, bota solidarizohet per ndihme

Numri i të vdekurve nga tërmeti në Turqi dhe Siri është rritur në mbi 1800 sipas të dhënave zyrtare brenda 12 orëve.

 

Numri i të vdekurve pritet të rritet, ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit janë duke u zhvilluar në të gjithë rajonin pasi shumë ndërtesa janë shembur dhe mendohet se ka shumë njerëz të bllokuar nën rrënoja.

 

Në Siri, gjithsej të paktën 430 njerëz kanë vdekur, kryesisht në rajonet e Aleppo, Hama, Latakia dhe Tartus, sipas agjencisë shtetërore siriane të lajmeve SANA, e cila gjithashtu raportoi 1,284 të plagosur.

 

Ndërkohë, grupi “Helmetat e Bardha”, i njohur zyrtarisht si Mbrojtja Civile e Sirisë, raportoi gjithashtu të paktën 380 të vdekur dhe 1000 të plagosur në zonat e kontrolluara nga opozita në veriperëndim të Sirisë.

 

Sipas Agjencisë së Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave të Turqisë (AFAD), të paktën 1,121 persona kanë vdekur dhe 7,634persona janë lënduar pas tërmetit në Turqi.

 

Më shumë se 10 ekipe kërkim-shpëtimi nga BE janë mobilizuar pas tërmetit që goditi Turqinë, tha një zëdhënës i Komisionit Europian. Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Izraeli, Rusia dhe Kina janë ndër vendet e tjera që kanë ofruar ndihme.

 

Tërmeti i parë 7.8 ballë i shkallës Rihter goditi vendet ndërsa njerëzit flinin, një nga tërmetet më të fuqishme në rajon në të paktën një shekull.

 

Qendra Sizmologjike Mesdhetare Evropiane (EMSC) tha se nga të dhënat paraprake tërmeti ishte me magnitudë 7.7 ballë sipas shkallës Rihter dhe ishte 67 km (42 milje) në veri-lindje të Kahramanmaraş, Turqi, në një thellësi prej 2 km.

 

Ka pasur më shumë se 100 pasgoditje më të vogla të regjistruara nga sizmologët. Tërmeti i parë e kishte epiqendrën afër Gaziantepit dhe ka dëmtuar kështjellën historike atje, e cila ishte në përdorim që nga koha romake.

 

Forcat e armatosura të Turqisë kanë ngritur një korridor ajror për të mundësuar që ekipet e kërkim-shpëtimit të arrijnë në zonën e prekur. 

 

Komiteti Ndërkombëtar i Shpëtimit (IRC) ka bërë thirrje për rritjen e fondeve për ndihmën humanitare në Siri, duke thënë se shumë njerëz në veriperëndim të vendit tashmë janë zhvendosur deri në 20 herë, dhe se kujdesi mjekësor në rajon ishte “i tejmbushur përtej kapacitet, edhe para kësaj tragjedie”.

 

Në vitin 1999, një tërmet me magnitudë të ngjashme me tërmetet e sotme në Turqi shkatërroi Izmitin duke vrarë më shumë se 17 mijë persona.

 

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan e ka përshkruar të hënën si fatkeqësinë më të rëndë për vendin që nga viti 1939, kur një tërmet shkaktoi mbi 32 mijë viktima e më shumë se 100 mijë të plagosur.

 

Burimi: Monitor https://www.monitor.al/termeti-shkaterrues-numri-i-te-vdekurve-ne-turqi-e-siri-kalon-1800/


Më të lexuarat