
Inflacioni ne Gjermani regjistron nivelin me te ulet ne pese muaj
Inflacioni në Gjermani ka arritur nivelin më të ulët në pesë muaj, prej 9.2 për qind në muajin janar.
Publikimi me vonesë i të dhënave, mund të kërkojnë një rishikim të normës së të gjithë eurozonës.
Agjencia shtetërore e statistikave tha se inflacioni vjetor pësoi ulje nga vlera prej 9.6% e muajit dhjetor, por nuk dha detaje mbi faktorët kryesorë që kanë nxitur këtë ndryshim, ose se si ai do të ndikojë në subvencionet e qeverisë për uljen e faturave të energjisë për konsumatorët.
Publikimi i të dhënave të inflacionit të Gjermanisë u vonua javën e kaluar për shkak të një problemi teknik të papritur, për të cilin agjencia shtetërore e statistikave u shpreh se ishte e lidhur me ndryshimin e vitit bazë për përllogaritjen e statistikave të çmimeve, nga 2015 në 2020.
Kjo nënkupton se Eurostat, agjencia e statistikave të BE-së, duhej të vlerësonte rritjen e çmimeve në ekonominë më të madhe të Evropës, për të përllogaritur inflacionin për zonën e euros.
Gjermania përbën më shumë se një të katërtën e të gjitha të dhënave të çmimeve të përdorura për të llogaritur inflacionin e eurozonës.
Çdo ndryshim në inflacionin e Eurozonës për muajin janarin, mund të ndryshojë perceptimin se sa shpejt po zvogëlohet trysnia e çmimeve në rajon, si dhe të ndryshojë pritshmëritë e tregut se kur Banka Qendrore Europiane do ta ndalojë rritjen e normave të interesit.
Si pjesë e vlerësimit të Eurostat, se inflacioni i eurozonës pësoi rënie nga 9.2 për qind në dhjetor në 8.5 për qind muajin e kaluar, analistët llogaritën se agjencia përllogariti një vlerë 8.7 për qind për Gjermaninë.
Bazuar në shifrën më të lartë të inflacionit të raportuar nga Gjermania ditën e enjten, ekonomisti i ING Carsten Brzeski vlerësoi se shifra e eurozonës për janarin, ka të ngjarë të rishikohet me rreth 0.1 pikë përqindjeje, në 8.6 për qind.
Shefi i Bankës Qendrore të Gjermanisë, Joachim Nagel, i cili është anëtar i këshillit drejtues të përcaktimit të normave të Bankës Qendrore Europiane (ECB), paralajmëroi këtë javë se ekzistonte “një rrezik i madh” që inflacioni mund të mbetej shumë i lartë nëse normat ndalonin rritjen në mënyrë të shpejtë.
Përllogaritja e inflacionit në Gjermani është bërë më e vështirë nga roli i subvencioneve qeveritare të krijuara për të zbutur ndikimin e çmimeve më të larta të energjisë tek familjet.
Në dhjetor, Berlini pagoi faturat e gazit të shumicës së familjeve gjermane, vetëm për një muaj. Në fillim të janarit, faturat e energjisë së konsumatorit u rritën përsëri.
Një problem tjetër është njoftimi i qeverisë për të kontrolluar çmimet në muajin mars, për të kompensuar pjesën më të madhe të rritjes së kostos së gazit dhe energjisë elektrike për familjet. Këto plane do të zbatohen në mënyrë retrospektive për faturat e tyre që nga fillimi i vitit.
Bundesbank ka vlerësuar se kufizimet e çmimeve të energjisë dhe biletat e lira të transportit publik, do të ulin inflacionin mesatar gjerman me 1.5 pikë përqindje këtë vit./Burimi: Financial Times/Monitor https://www.monitor.al/inflacioni-ne-gjermani-arrin-nivelin-me-te-ulet-ne-pese-muaj/
Më të lexuarat








