ALUIZNI miraton te drejten mbi truallin per 300 pronare
Miratohet lista me personat që kanë ndërtuar pa leje dhe fitojnë të drejtën e pronësisë mbi sipërfaqet ndërtimore. Me një vendim të veçantë, qeveria ka përcaktuar metra katrorët për parcelat ndërtimore në Tiranë, Shkodër, Durrës, Elbasan dhe Korçë.
Korrigjimi i sipërfaqeve dhe njohja e pronësisë është bërë pas llogaritjes në bazë të ligjit për legalizimin, që i njeh të drejtën mbi truallin personit që ka ndërtuar pa leje deri në tri herë më e shumë se sipërfaqja e ndërtuar.Janë 76 vendime, të cilat prekin kufijtë për 300 pronarë. Vendimi është botuar në Fletoren Zyrtare dhe në listën e miratuar nga qeveria janë përcaktuar sipërfaqet për çdo përfitues, ndërsa ngarkohet ALUZINI për pasqyrimin e tyre në dokumentet përkatëse. Përfituesit do të marrin tapitë për sipërfaqet e përcaktuara në VKM, pavarësisht sipërfaqes që kanë deklaruar në procesin e vetëdeklarimit të ndërtimit pa leje. Përfituesit kanë mbyllur të gjithë detyrimet dhe pritet të marrin tapinë për tokën.
Kalimi i pronësisë Kalimi i së drejtës së pronësisë mbi parcelën ndërtimore të objektit pa leje bëhet sipas dispozitave të Kodit Civil. Sipërfaqja e parcelës, për të cilën miratohet kalimi i së drejtës së pronësisë nuk mund të jetë më e madhe se trefishi i sipërfaqes së bazës së ndërtimit dhe për ndërtimet pa leje me funksion banimi jo më shumë se 500 m².
Sipërfaqet mbi masat e përcaktuara në këtë pikë, të cilat për shkak të përmasave ose konfiguracionit nuk mund të shfrytëzohen më vete për ndërtim, i shiten poseduesit të ndërtimit pa leje sipas vlerës së pronës, të miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave, vetëm nëse ka shprehur më parë vullnetin nëpërmjet një kërkese me shkrim.