Aeroportet gjermane ne greve, te premten priten pezullime fluturimesh
Grevat e planifikuara në shtatë aeroporte gjermane për të premten do të shkaktojnë ndërprerje masive të trafikut ajror.
Sindikata gjermane Verdi u bëri thirrje punëtorëve në shtatë nga aeroportet e vendit që të hyjnë në një grevë 24-orëshe, duke thënë se përpjekjet e negociatave kolektive kanë bërë shumë pak përparim.
Të premten, e 17 shkurtit, do të ketë për rrjedhojë ndërprerje masive në trafikun ajror, konfirmoi Fraport FRAG.DE, operatori i aeroportit të Frankfurtit, i cili numëronte më shumë se 48 milionë pasagjerë në 2022-shin.
Të gjitha funksionet që mundësojnë operacionet e plota të fluturimit në aeroporte do të pezullohen, ndaj udhëtarëve iu është kërkuar që të shmangin aeroportin këtë ditë.
Krahas Frankfurtit, aeroportet e prekura përfshijnë Mynihun, Shtutgartin, Hamburgun, Dortmundin, Hanoverin dhe Bremenin, sipas deklaratës për media të sindikatës Verdi.
Greva pritet të ndikojë veçanërisht në udhëtimet e brendshme, sipas sindikatës, e cila tha se kishte paralajmëruar paraprakisht për grevën në mënyrë që pasagjerët të mund të gjenin mënyra alternative transporti.
Largimi përkon gjithashtu me fillimin e Konferencës së 59-të të Sigurisë në Mynih, e cila sjell qindra delegatë në kryeqytetin bavarez, duke përfshirë disa liderë globalë.
Sindikata është aktualisht në negociata për tre grupe punëtorësh: personelin e shërbimit tokësor, zyrtarët e sektorit publik dhe punonjësit e sigurisë së aviacionit.
Ajo thekson se ka ende një mungesë ‘katastrofike’ të punëtorëve në shërbimet tokësore. Një fenomen që u vu re qartë verën e kaluar, përfundoi sindikata deklaratën e saj./Burimi: SCAN