Vijojne punimet ne aksin Korce-Erseke, ja kur perfundon
Zëvendëskryeministrja njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku inspektoi sot kantierin e aksit rrugor Korçë-Ersekë.
Gjatë inspektimit, ministrja Balluku shoqërohej nga drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ervis Berberi dhe kryetari i bashkisë së Ersekës, Erion Isai. Ministrja Balluku tha se “jemi shumë të kënaqur me ecurinë e punimeve dhe mendohet ta dorëzojmë në qershor të 2023.
Me infrastrukturën e duhur do të ketë një fluks qytetarësh që do të vijnë nga të gjitha qytetet për të vizituar Ersekën”. Sipas saj, puna në kantier është shumë e avancuar.
“Pjesa e parë e lotit të dytë ka përfunduar në 99%. Ndërsa tek ky lot është realizuar 77% ecuria e projektit. Është një kantier i konsoliduar”, shtoi Balluku.
Aksi rrugor Korçë-Ersekë kishte një gjatësi prej 45 kilometrash, ndërsa me përfundimin e segmentit të ri distanca shkurtohet në 35 kilometra.
Ndërtimi i kësaj rruge nxit zhvillimin e mëtejshëm turistik të juglindjes së vendit duke afruar më pranë dy zona me mjaft potenciale, siç është Korça dhe Erseka./Burtimi: abcnews.al