Shtyhet kredia e FSHZH per rruget, qeveria kerkoi zgjatjen me 18 muaj
FSHZH nuk ka mundur të përthithë në kohë kredinë 50 mln USD, nga BERZH për Konektivitetin e Rrugëve Lidhëse Rajonale, duke kërkuar zgjatjen me 18 muaj të mbylljes së huasë.
Sipas afateve të reja, që tashmë janë miratuar, mbyllja parashikohet në 30 qershor 2024, teksa në kërkesën e bërë nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë thuhet se ky afat do të mundësonte finalizimin e aktiviteteve për t’u financuar nga kjo marrëveshje.
Programi i Rrugëve Lidhëse Rajonale dhe Lokale bashkëfinancohet edhe nga Banka Botërore, teksa në total ka një buxhet prej 100 mln USD.
Në kuadër të këtij programi u parashikua rikonstruksioni i rrugëve Fier – Seman, Pogradec – Tushemisht, Qafe Thore – Theth – Ndërlysaj, Shëngjin – Velipojë dhe Vlorë – Orikum si zona që kanë potencial të lartë bujqësor dhe turistik.
Ndërkaq, një auditim i Kontrollit të Lartë të Shtetit, publikuar në vitin 2021 kontastoi se Fondi Shqiptar i Zhvillimit kishte të meta dhe mangësi në disa drejtime të veprimtarisë së tij që lidhen me menaxhimin e projektit.
Sipas KLSH, një ndër problematikat e evidentuara i referohej mos përcaktimit të Personelit të Dedikuar për projektin siç është parashikuar në marrëveshjen e financimit me BB dhe mos vlerësim të objektivave të përcaktuara në marrëveshjet e financimit me qëllim vlerësimin e rezultateve të punës së deritanishme./Burimi: SCAN