
Hyjne ne fuqi taksat e reja, ja sa rritet pagesa per bizneset
Vështirësohen rrugët për ata individë që dëshirojnë të bëjnë biznes në Tiranë. Vetëm për të zënë 1 metër katror hapësirë, duhen paguar së paku 1500 lekë në muaj.
Kjo është mënyra që ka gjetur Bashkia e Tiranës për krijimin e sa më shumë territoreve të lira, përfshirë në paketën fiskale që u votua mesnatën e 30 dhjetorit të vitit që shkoi.Por vetëm pasi kaluan gati dy muaj e kur faturat iu erdhën te dera, bizneset janë informuar për rritjen galopante që kanë pësuar disa nga taksat vendore, duke nisur nga ajo që i lejon bar-kafetë apo dyqanet të nxjerrin karrige apo tezga në rrugë e deri te tarifa e pastrimit dhe largimit të mbeturinave. Kjo i vendos jo vetëm në vështirësi financiare, por rrezikon deri në mbylljen e aktivitetit.
Protesta
Mijëra biznese, lokale, restorante e dyqane janë përballur këto ditë me lajmërimin e Bashkisë për detyrimet e reja, shumëfish më të larta krahasuar me ato të dy muajve më parë. Siç shpjegohet dhe në tabelën përbri shkrimit, vlera që duhej të paguante një biznes i vogël për zënien e hapësirës së lirë ka qenë 150 lekë/m² në muaj, ndërsa nga janari është dhjetëfishuar.Kjo bëri që ata të dilnin dje në një protestë para Bashkisë duke kërkuar anulimin e kësaj tarife që ata e cilësojnë “gjobë” dhe rishikim të të gjitha taksave e tarifave të tjera. “Të rikthehen tarifat e para. Deri dje kam paguar 202 mijë lekë të vjetra në muaj dhe tani do të paguaj 2 milionë. Kjo është absurde, janë shifra rrënimi. Ne si partnerë me shtetin duhej të ishim lajmëruar dhe të merrnim masa, të vendosim ta mbajmë ose jo hapësirën publike”, thotë Armand Qafmolla, posedues i njëm dyqani në Njësinë Bashkiake nr.7.
Sipas faturës së tij për shlyerjen e detyrimeve vjetore, Qafmolla duhet të kryejë pagesën e 240 mijë lekëve të rinj në vit, nga 24 mijë që i paguante për vitin 2015. Pronarët thonë se kjo rritje është jo transparente dhe e pabazuar në asnjë logjikë apo studim ekonomik.“Kryetari i Bashkisë ka thyer marrëveshjen me qytetarët, nuk jemi njoftuar për asgjë. Mijëra biznese të vogla preken nga kjo rritje, pasi është e papërballueshme. Mijëra njerëz dalin pa punë. Nuk jemi për shtet pa taksa. Jemi për taksime, por të ndershme e të arsyeshme”, shprehen protestuesit. Por tarifa për hapësirën nuk është problemi i vetëm për ta, pasi janë dhe një sërë taksash të tjera, që nuk mbulohen me fitimet që marrin nga biznesi.
Rritja
Janë së paku tri taksa e tarifa që janë shumëfishuar me vendimin e fundit të vendorëve të Tiranës: taksa për tabelën, tarifa e pastrimit dhe largimit të mbeturinave dhe ajo për zënien e hapësirës publike që prekin kryesisht biznesin e vogël, por dhe atë të madh. Ndërsa është zeruar taksa për tabela deri në 2 metra katrorë, ka pësuar rritje ajo mbi këtë sipërfaqe, që shkon nga 31.500-45 mijë/m² në vit.
Tarifa e pastrimit dhe largimit të mbeturinave ka mbetur e pandryshuar për biznesin e vogël, ndërsa godet shumë biznesin e madh dhe atë VIP, pasi shifrat janë dyfishuar. Të njëjtin fat ka pësuar dhe tarifa për zënien e hapësirës publike që nga 150 lekë/m² kap vlerën 1500 lekë/m² në muaj në zonën A, apo ndryshe në qendër të Tiranës, e 200 lekë/ m² në muaj për bizneset në njësitë administrative që i janë bashkuar kryeqytetit me ndarjen e re territoriale. Sipas rregullores, vendorët mund të rrisin apo ulin taksat e tarifat deri në masën 15%, gjë që Bashkia ekzistuese nuk e ka respektuar.
Më të lexuarat








