Lufta ne Ukraine do i kushtoje ekonomise gjermane rreth 4 per qind te PBB
Sipas kreut të dhomës gjermane të industrisë dhe tregtisë, lufta në Ukrainë do t’i kushtojë ekonomisë 160 mld euro, ose rreth 4% të prodhimit të saj të brendshëm bruto.
Kjo do të thotë se PBB-ja për frymë në ekonominë më të madhe të Europës do të jetë 2 mijë euro më e ulët.
Industria përbën një pjesë më të madhe të ekonomisë në Gjermani sesa në shumë vende të tjera, dhe sektori konsumon shumë energji në pjesën më të madhe të tij, që do të thotë se kompanitë gjermane janë goditur veçanërisht rëndë nga rritja e çmimeve të energjisë, e cila vitin e kaluar arriti nivele rekord në Europë.
Industria gjermane do të paguajë rreth 40% më shumë për energjinë në vitin 2023 sesa në 2021, përpara krizës së shkaktuar nga pushtimi rus i Ukrainës më 24 shkurt të 2022, sipas një studimi të ‘Allianz Trade’. Perspektiva e rritjes për 2023 dhe 2024 është gjithashtu më e ulët se në shumë vende të tjera.
Gjermania, e cila për dekada mbështetej në gazin relativisht të lirë rus, tani ka çmime veçanërisht të larta të energjisë në krahasim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës që kanë rezervat e veta të gazit natyror, ndërsa Franca ka energji të bollshme bërthamore.
Çmimi i gazit është rreth tre deri në pesë herë më i lartë se në Shtetet e Bashkuara, ndërsa energjia elektrike është katër herë më e shtrenjtë se në Francë./Burimi: SCAN