Serbia do marre grantin me te madh nga BE per rindertimin e nje hekurudhe
Serbia, së shpejti, do të marrë një fond nga BE, me vlerë 600 milionë euro, për të rindërtuar hekurudhën Beograd-Nish, deri në vitin 2029.
Ky është granti më i madh që Serbia ka marrë ndonjëherë nga blloku. Kontrata për rindërtimin e hekurudhës Beograd-Nish do të kushtojë 2.2 miliardë euro, nga të cilat rreth 600 milionë euro do të vijnë nga një grant i BE-së.
Drejtues financiar në ndërtim është Banka Europiane e Investimeve, e cila ka miratuar një kredi prej 1.1 miliardë euro. Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, nga ana e saj, ka ndarë 550 milionë euro, si dhe një pjesë e rindërtimit do të financohet nga buxheti i Serbisë.
Granti më i madh i dhënë ndonjëherë, vjen nga Korniza e Investimeve të Ballkanit Perëndimor (Western Balkans Investment Framework). Rindërtimi i 230 kilometrave të hekurudhës, do të jetë një nga projektet më të rëndësishme të këtij lloji në Serbi.
Ai duhet të përfundojë deri në vitin 2029 dhe trenat do të udhëtojnë deri në 200 kilometra në orë. Hekurudha Beograd-Nish është pjesë e rrjetit të transportit transeuropian, prandaj është në interes të BE-së për ta modernizuar atë.
Shumë rrugë që të çojnë në Bashkimin Europian kalojnë përmes Serbisë, dhe pjesa që do të rindërtohet konsiderohet të jetë shtylla kurrizore e rrjetit hekurudhor të Serbisë, si dhe një rrugë kyçe në lidhjen e Europës Perëndimore me Ballkanin Perëndimor dhe Greqinë e Turqinë.