Secondary Adv

Kompesim financiar vetem per truallin, perparesi per ata qe kane vendime me te vjetra

I gjithë fondi që do të vendoset në dispozicion nga buxheti i shtetit do të përdoret për të kompensuar financiarisht vetëm tokën truall. Ky është propozimi që Agjencia e Pronave ka depozituar në qeveri pas miratimit të ligjit të ri, i cili hyn në fuqi këtë javë.


Skema
Pavarësisht se për herë të parë në skemë u përfshi edhe toka bujqësore, pyjet dhe kullotat, për këtë të fundit është menduar që pronarët e tyre të kompensohen fizikisht me troje të tjera që shteti ka në posedim. Aktualisht janë 23 mijë ha tokë, të cilat parashikohen t’u ndahen pronarëve që kanë vendim kompensimi për tokën bujqësore, që u është konfiskuar gjatë regjimit komunist.


Ndërkohë, sa i përket fondit financiar, në total janë 3 miliardë lekë të vëna në dispozicion për vitin 2016 që do të adresohen për të likuiduar financiarisht tokën truall. Ligji i ri ndryshon rrënjësisht formulën e deritanishme. Janë 26 mijë vendime, të cilat do të rivlerësohen nga e para dhe kompensimi i tyre do të bëhet mbi bazën e zërit kadastral që ka pasur toka në momentin e shpronësimit. Pra, ndonëse çmimet e tokës do të jenë ato të sotmet, zëri kadastral do të jetë ai që rezulton në kohën e konfiskimit nga regjimi. Kjo praktikë që do të ndiqet, prek 26 për qind të vendimeve, vetëm në kryeqytet, si edhe reflektohet duke sjellë ulje të masës së përfitimit për familjet ish-pronare.


Pagesa me këste
Skema e kompensimit të plotë të ish-pronarëve synohet të realizohet përmes pagesës me këste deri në vitin 2026. Por nëse një pronar do të kërkojë të kompensohet brenda një viti, atëherë ai do të ketë mundësi të përfitojë 20 për qind të vlerës dhe të heqë dorë nga pjesa e mbetur. Ligji i ri, i cili hyn në fuqi këtë javë, parashikon se si do të bëhet trajtimi i rasteve të veçanta. Konkretisht, në nenin 17 është përcaktuar se sa para do të marrin familjet, të cilat do të paraqesin kërkesë për të tërhequr kompensimin brenda një afati 1, 3 dhe 5-vjeçar.


Kështu, për ata që duan ta mbyllin këtë proces brenda 1 viti, do të ndahet 20 për qind e shumës. Ndërkohë, 30 për qind të vlerës do të përfitojnë pronarët që do të depozitojnë kërkesë për t’u kompensuar brenda një harku 3-vjeçar dhe së fundmi ata që do të kërkojnë ta mbyllinn këtë kapitull brenda një afati 5-vjeçar do t’u takojë të marrin vetëm 40 për qind dhe me vetëdije të plotë të heqin dorë nga pjesa tjetër e fondit.

 

Qeveria ka parashikuar në ligjin e ri që procesi i kompensimit financiar të shtrihet përgjatë 10 viteve të ardhshme. Ky nen nuk bën gjë tjetër veçse shkurton kohën për marrjen e shpërblimit, nga ana tjetër kjo gjë nuk bëhet pa kosto. Kjo për vetë faktin që është e përcaktuar qartazi se pronarët që do të kërkojnë të marrin paratë në afatet e mësipërme, pagesa nuk do të jetë e plotë, por gati e përgjysmuar.


Më të lexuarat