
Eurostat: 1 miliard euro transferta nga emigrantet ne Shqiperi gjate 2021
Shqipëria mori 1 miliard euro transferta nga vendet e BE në vitin 2021, sipas Eurostat, që kryesisht janë paratë që emigrantët në BE dërgojnë në vendin mëmë.
Sipas një harte të publikuar nga Eurostat, kjo është shuma më e madhe në Europë në raport me madhësinë përkatëse të vendit, duke arritur në 6.7% të prodhimit të Brendshëm bruto (PBB). Mali i Zi merr 6.1% të PBB-së, ndërsa mungojnë të dhënat për Kosovën.
2021-i ka shënuar nivelin më të lartë të transfertave që nga 2013-a kur INSTAT raporton të dhënat, duke reflektuar një rigjallërim të ciklit të emigracionit, me emigrantët e rinj që kanë shtuar dërgesat në vendin e tyre të origjinës.
Të dhënat më të mëparshme të Eurostat treguan se Italia është burimi kryesor i dërgesave të emigrantëve drejt Shqipërisë. Sipas të dhënave nga Eurostat për vitin 2021, transfertat personale nga Italia kishin vlerën e 279 milionë eurove, ose rreth 24.5% e totalit.
Dërgesat nga Italia u rritën me 7.2% krahasuar me vitin 2020. Britania e Madhe ndërkohë ka konsoliduar prej vitesh vendin e dytë për nga vlera e transfertave drejt Shqipërisë.
Sipas Eurostat, për vitin 2021, vlera e këtyre dërgesave arriti në 206.5 milionë euro ose 18.1% e flukseve të transfertave personale hyrëse. Rritja e dërgesave nga Britania e Madhe ishte më e ngadaltë, me 1%, krahasuar me vitin 2020.
Në vendin e tretë dhe me rritje të ndjeshme paraqitet Gjermania. Në vitin 2021, vlera e transfertave nga Gjermania arriti në 172.8 milionë eurove ose sa 15.2% e totalit.
Transfertat nga Gjermania kanë shënuar një rritje të lartë, me 20.4% më shumë krahasuar me vitin 2020, ndërsa krahasuar me vitin 2017 ato janë rritur me 71%, teksa ky vend vitet e fundit është bërë një nga destinacionet më të preferuara të emigrantëve.
Partneri i katërt për nga vlera e remitancave të dërguara është Greqia, me një vlerë prej 172.3 milionë eurosh, ose rreth 15.1% e totalit të vitit 2021.
Megjithëse pesha e Greqisë në strukturën e emigracionit të ri shqiptar vlerësohet të jetë më e ulët, sidomos në periudhën e postkrizës ekonomike greke, edhe transfertat nga Greqia kanë shënuar rritje, me 2% më shumë krahasuar me vitin 2020.
Një peshë të rëndësishme në totalin e transfertave drejt Shqipërisë ka edhe Amerika e Veriut, kryesisht SHBA (Eurostat i paraqit shifrat në nivel të kontinentit, pa ndarje midis SHBA dhe Kanadasë).
Dërgesat nga Amerika e Veriut në vitin 2021 arritën vlerën e 128.1 milionë eurove ose sa 11.2% e totalit. Transfertat nga Amerika janë rritur me 27% krahasuar me vitin 2020, duke shfaqur shkallën më të lartë të rritjes mes pesë vendeve kryesore partnere.
Transfertat në BE
Sipas Eurostat, Në vitin 2021, flukset e parave të dërguara nga rezidentët e BE drejt vendeve jo anëtare të BE, të referuara si transferta personale, arritën në 37.7 miliardë euro (+11% krahasuar me 34.0 miliardë euro në 2020).
Flukset hyrëse në BE arritën në 13.0 miliardë euro (+5% krahasuar me 12.4 miliardë euro në 2020). Shumica e transfertave personale përbëhet nga flukse parash të dërguara nga emigrantët në vendin e tyre të origjinës.
Daljet jashtë BE kanë shfaqur një trend në rritje që nga viti 2015 (+47% në 2021 krahasuar me 2015). Duke qenë se flukset hyrëse kanë mbetur konstante, kjo ka rezultuar në një bilanc negativ të zgjeruar për BE kundrejt vendeve jo-anëtare të BE, duke arritur në 24.7 miliardë euro në 2021.
Në vitin 2021, vendet e BE që gjeneruan teprica të transfertave personale, që përfaqësonin më shumë se 1% të produktit të brendshëm bruto përkatës (PBB), ishin Kroacia (2.7% e PBB), Bullgaria (1.6%), Rumania (1.5%) dhe Letonia (1.1%).
Në të kundërt, Qiproja (-0.9%), Franca dhe Spanja (secila -0.5%) gjeneruan deficitet më të mëdha të transfertave personale kundrejt pjesës tjetër të botës si pjesë e PBB-së së tyre përkatëse.
Burimi: Monitor https://www.monitor.al/eurostat-shqiperia-merr-1-miliard-euro-nga-emigrantet-rekord-ne-europe-ne-raport-me-madhesine-e-ekonomise/
Më të lexuarat








