Secondary Adv

Depozitat arrijne rekordin, ne janar 11 miliarde euro ne banka

Depozitat kanë arritur një nivel të ri rekord në janar të këtij viti, sipas statistikave të publikuara nga banka e Shqipërisë.

 

Stoku i kursimeve që individët, familjet, bizneset jo publike e publike, institucionet financiare dhe ato shtetërore mbajnë në banka arritën për herë të parë në kufirin e 1.3 milionë lekëve, ose rreth 11 miliardë euro.

 

Ndikimin kryesor në rritjen e kursimeve e dhanë depozitat në valutë, duke reflektuar dhe pasojat sezonale, si rrjedhojë e prurjeve të emigrantëve për festat e fund vitit, por dhe nënçmimin e euros ndaj lekut, pasi të dhënat e Bankës së Shqipërisë raportohen në lekë.

 

Sipas BSH, në banka ka gjithsej 745 miliardë lekë kursime në valutë, ose 57.27% e totalit.

 

Që prej vitit 2015, valuta, kryesisht euro, është bërë monedha më e preferuar për të kursyer dhe pesha e kursimeve në monedhë të huaj po rritet vazhdimisht, pavarësisht përpjekjeve të bankës së Shqipërisë për të ulur nivelin e euroizimit në ekonomi.

 

Në janar, depozitat në total u rritën me 1.85% në krahasim me dhjetorin 2022. Rreth 81% e rritjes erdhi nga valuta. Kursimet në monedhë të huaj u zgjeruan me gati 3% për të njëjtën periudhë, të ndikuara kryesisht nga individët.

 

Me bazë vjetore (janar 2023/janar 2022), depozitat totale në sistem u zgjeruan me 5.4%. Gjithsesi, ritmet e rritjes janë ngadalësuar ndjeshëm, teksa një viti më parë zgjerimi ishte mbi 10%.

 

Në këtë ngadalësim ka ndikuar kryesisht ecuria e kursimeve në lekë, duke reflektuar si një pamundësi për të lënë para mënjanë nga rritja e çmimeve dhe një tendencë të zhvendosjes drejt alternativave me kthim më të lartë, si letrat me vlerë të qeverisë.

 

Burimi: Monitor https://www.monitor.al/depozitat-arrijne-rekord-ne-janar-ne-banka-ka-11-miliarde-euro-57-3-jane-ne-valute/


Më të lexuarat