Secondary Adv

Shtrengohen vizat e punes per te huajt, garancia bankare detyrim

Të huajt që aplikojnë për vizë të kategorive të ndryshme në vendin tonë, duhet të paraqesin detyrimisht garanci financiare e cila mbulon shpenzimet e qëndrimit.

 

Referuar udhëzimit të përbashkët të Ministrisë së Punëve të Jashtme, Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Financave, “garancia financiare depozitohet në  llogarinë bankare të aplikantit nga vetë i huaji që aplikon për vizë, nga garanti i të huajit, ose nga ftuesi i tij në Republikën e Shqipërisë,

 

duke dokumentuar, gjithashtu, nëpërmjet vërtetimit nga banka që nuk janë kryer derdhje të pajustifikuara, në këtë llogari bankare, të paktën për 12 muajt e fundit”.

 

Në udhëzim specifikohet gjithashtu se “shuma e garancisë financiare që duhet të paraqitet në dokumentacionin për pajisjen me vizë nga i huaji, për rastet e përcaktuara me vendimin e Këshillit të  Ministrave nr. 858, datë 29.12.2021,

 

“Për përcaktimin e kritereve, të procedurave e të dokumentacionit për hyrjen, qëndrimin dhe trajtimin e të huajve në Republikën e Shqipërisë”, duhet të jetë të  paktën 5000 lekë për ditë qëndrimi të kërkuar në vizë për personat mbi 18 vjeç dhe 2500 lekë për shtetasit nën 18 vjeç”.

 

Pra e thënë ndryshe, nëse një i huaj mbi 18 vjeç aplikon për vizë 6-mujore duhet të ketë në llogari bankare rreth 900 mije lekë, ndërsa për vizë 1- vjeçare, 1.8 milion lekë.

 

Garancia financiare është kusht me qëllim për mbulimin e shpenzimeve të jetesës apo pasojat e një dëmi që mund të shkaktohet nga një veprim ose mosveprim i të huajit, në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, për periudhën e vlefshmërisë së vizës, ku përfshihen: viza për të trajnuarin pa pagesë;

 

viza për persona të vetëpunësuar; viza për punonjës lëvizës digjital; viza për investitorë; viza për përdorim të pasurisë së paluajtshme në pronësi; viza për pensionistë.

 

Vlera e depozituar në llogarinë bankare nuk mund të tërhiqet nga i huaji ose garantuesi i tij në Republikën e Shqipërisë, deri në përfundimin e afatit të vlefshmërisë së vizës./Burimi: SCAN


Më të lexuarat