Bie inflacioni ne Eurozone, priten efekte pozitive edhe ne Shqiperi
Inflacioni në eurozonë ka vijuar tendencën ulëse dhe për muajin shkurt, ndonëse me ritme më të ngadalësuara sipas të dhënave paraprake të Eurostat.
Ky është muaji i katërt radhazi me tendencë ulëse, pasi në tetor inflacioni në Eurozonë kishte arritur rekordin e 10.6%.
Institucioni statistikor i bashkimit Europian njoftoi se Inflacioni vjetor i Eurozonës pritet të jetë 8.5% në shkurt 2023, nga 8.6% në janar sipas një vlerësimi paraprak nga Eurostat, zyra statistikore e Bashkimit Evropian.
Duke parë përbërësit kryesorë të inflacionit të eurozonës, ushqimi, alkooli dhe duhani pritet të kenë normën më të lartë vjetore në shkurt (15.0%, krahasuar me 14.1% në janar),
e ndjekur nga energjia (13.7%, krahasuar me 18.9% në janar. ), mallrat industriale joenergjetike (6.8%, krahasuar me 6.7% në janar) dhe shërbimet (4.8%, krahasuar me 4.4% në janar).
Në Itali, një nga partnerët kryesorë tregtarë të Shqipërisë, inflacioni u ngadalësua në 9.9% në shkurt, nga 10.7% në janar. Në Greqi, treguesi ishte 6.5%, nga 7.3% në janar.
Edhe në Shqipëri inflacioni është me tendencë ulëse
Edhe në Shqipëri, rritja e çmimeve është ngadalësuar në janar për të tretin muaj radhazi, megjithatë çmimet e ushqimeve vijojnë të mbeten të larta.
Sipas INSTAT, inflacioni, që mat ndryshimin e çmimit të mallrave të konsumit zbriti në 7.2% në janar, nga 7.4% që ishte në dhjetor dhe 8.3% që arriti në tetor, kur u shënua dhe niveli më i lartë që nga viti 1998.
Sipas të dhënave ët bankës së Shqipërisë rreth gjysma e rritjes së çmimeve në vend vjen nga inflacioni i importuar, si rrjedhojë çdo lehtësim i çmimeve në eurozonë është një lajm i mirë edhe për Shqipërinë.