Rriten sigurimet e pronave nga termetet, por shifrat mbeten modeste
Viti 2023 ka nisur me një rritje të dukshme të sigurimeve të pronave nga zjerret, tërmetet apo fatkeqësitë natyrore.
Sipas të dhënave të sapopublikuara nga Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare, këtë janar janë rritur si numri i subjekteve që kanë siguruar pronat, ashtu edhe volumi i parave që është paguar për këtë qëllim.
Në portofolin sigurimi nga Zjarri dhe Forcat e Natyrës, gjatë muajit janar 2023, vihet re një rritje prej 23.84% e vëllimit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli dhe një rritje me 13.95% e numrit të kontratave të sigurimit, krahasuar me periudhën janar 2022.
Nga diccka më pak se 1 milionë dollarë në janarin e vitit të shkuar, muajin e parë të këtij viti janë paguar mbi 1.2 milionë dollarë për këtë qëllim. Rritja është e dukshme duke ju referuar shifrave modeste me të cilat u mbyll viti 2022 sa i përket këtij portofoli.
Përgjatë gjithë vitit të shkuar u paguan në total nga shqiptarët rreth 18 milionë dollarë për sigurimin e pronave nga zjarri e fatkeqësitë, rreth 1 milionë dollarë më shumë se në vitin 2021.
Rritja sipas ekspertëve është modeste duke parë fatkeqësitë e shumta natyrore me të cilat janë përballur së fundmi shqiptarë, duke nisur nga tërmetet, te zjarret, e deri te përmbytjet të cial u rikthyen vitin e shkuar.
Sa i përket tregut të sigurimeve në total, të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit për periudhën janar 2023 kapën vlerën 1,712 milionë lekë, ose 20.6% më shumë se në janar 2022.
Gjatë muajit janar 2023, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 96,527 me një rritje prej 15.19% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë./Burimi: SCAN