
Informaliteti, FMN: 3600 biznese mashtronin me xhiron
Për të adresuar një mungesë me bazë të gjerë të të ardhurave në gjysmën e parë të vitit 2015, në fillim të shtatorit autoritetet shqiptare nisën një reformë për të përmirësuar mbledhjen e taksave, për të luftuar evazionin dhe minimizuar informalitetin.
Përpjekja është shumëdimensionale, theksohet në raportin e FMN-së me rastin e shqyrtimit e pestë dhe të gjashtë të programit me Shqipërinë. Qeveria nisi një fushatë ndërgjegjësimi publik, hoqi gjoba për bizneset që do të deklaronin mallrat pa faturë deri në fund të vitit 2015 dhe organizoi një lotari për të nxitur konsumatorët për të kërkuar kuponët tatimorë. Kodi i Procedurave Tatimore u ndryshua në nëntor, duke caktuar dënime më të ashpra për mospagimin e taksave. Për të përmirësuar zbatimin e ligjit, u punësuan 500 inspektorë të rinj tatimorë.
Ndërkohë, një komitet drejtues i kryesuar nga Kryeministri monitoronte përpjekjet dhe rezultatet në fund të çdo jave, si dhe nxiste një bashkëpunim më të ngushtë ndërmjet administratave tatimore dhe doganore. “Rezultatet paraprake tregojnë rritje mbresëlënëse në numrin e punonjësve të regjistruar rishtazi dhe të formalizmit të bizneseve të vogla. Ndërmjet gushtit dhe tetorit 2015, numri i të punësuarve të regjistruar dhe të njerëzve të vetëpunësuar u rrit me më shumë se 70 000 vetë ose 14 për qind më shumë në krahasim me fundin e vitit 2014.
Numri i bizneseve të regjistruara u rrit me më shumë se 33 000 subjekte. Gjatë së njëjtës periudhë, përdorimi i kasave fiskale është rritur dukshëm, me një shtesë prej 35 për qind në raport me fundin e vitit 2014. Për shkak të monitorimit më të mirë të xhiros së bizneseve, administrata tatimore ka riklasifikuar rreth 3600 subjekte me qarkullim më të madh se më parë”, raporton FMN-ja. Pavarësisht nga këto të dhëna pozitive të regjistrimit, sipas FMN-së, rritja e të ardhurave është e vështirë të vlerësohet dhe do të jetë e kufizuar. Pagesat e kontributeve të sigurimeve shoqërore nga punonjësit e rinj të regjistruar janë vlerësuar me rritje sa 0.25 për qind e PBB-së në vitin 2015. “Të ardhurat shtesë nga tatimi i fitimit nuk janë të sigurta në këtë fazë.
Shumica e bizneseve të reja të regjistruara janë me xhiro ekonomike të vogla me ndikim të kufizuar te të ardhurat. Nuk ka pasur pothuajse asnjë rritje në xhirot e deklaruara nga bizneset nën regjimin e TVSH-së. Përshtatja e sjelljes së bizneseve duke deklaruar xhirot vetëm nën pragjet e taksave mund ta dobësojë më tej ndikimin e fushatës te të ardhurat fiskale”, shpreh shqetësimin FMN-ja. Më në fund, sipas FMN-së, shtesa e të ardhurave rrezikon të jetë vetëm e përkohshme në qoftë se përpjekjet për të trajtuar evazionin nuk do të jenë të qëndrueshme gjatë një periudhe afatgjatë.
Për të gjitha këto arsye, stafi i FMN-së është duke vlerësuar në mënyrë konservatore rendimentin e aksionit për shtimin e të ardhurave dhe përmirësimin e zbatimit të ligjit, edhe pse ka një potencial të lartë në qoftë se përpjekjet e autoriteteve provohen të suksesshme. “Për të pasur përfitime të rëndësishme të të ardhurave, autoritetet duhet të vendosin një menaxhim të fortë të kontrollit në bazë risku, si pjesë e një strategjie më të gjerë për të rritur mbledhjen e taksave. Kjo është një përpjekje afatmesme që kërkon identifikimin risqeve dhe auditime të kompanive të bazuara në rrezik. Analiza fillestare e të dhënave ka filluar tashmë. Ndërsa shtimi i të ardhurave nga kjo përpjekje do të zgjasë më shumë për t’u materializuar”, theksohet në këtë raport.
Më të lexuarat








