Secondary Adv

Aplikimi prane MIE, kerkohet ndertimi i nje TEC-i me gaz ne Fier

Termocentralet janë një formë investimi në prodhimin e energjisë që nuk kanë gjetur ndonjë interes të madh ndër vite nga kompanitë private në vendin tonë.

 

Në pesë vitet e fundit numërohen vetëm dy kërkesa ku e para ajo e një termocentrali me gaz në Korçë projekt që u bllokua në fazat e lejes dhe u anulua në kohën e ministrit Klosi dhe së fundmi një tjetër aplikim në Fier.

 

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë shpalli pak ditë më parë një kërkesë e bërë nga bashkimi i dy kompanive një të huaj dhe një shqiptare për ndërtimin e një TEC-i në Fier.

 

Kërkesa është bërë nga shoqëria “FIER THERMOELECTRIC” Sh.a. ka shprehur interesin dhe ka paraqitur pranë MIE, aplikimin për ndërtimin e një termocentrali për prodhimin e energjisë, me kapacitet 170 MW, i cili nuk përfiton nga masat mbështetëse, në zonën e Roskovecit, Qarku Fier.

 

Kompania në fjalë është bashkim i grekëve të GEK TERNA Holdings, Real Estate & Constructions Societe Anonyme me 70 për qind të aksioneve dhe kompanisë “GENER 2” me 30 për qind. Bëhet fjalë për një termocentral i cili do të prodhojë energji përmes gazit i formës CCGT.

 

Një termocentral me turbina me gaz me cikël të kombinuar (CCGT) përdor nxehtësinë e shkarkimit nga turbinat me gaz për të gjeneruar avull me një gjenerator avulli të rikuperimit të nxehtësisë (HRSG).

 

Avulli i prodhuar më pas futet në një turbinë me avull për të siguruar fuqi shtesë, qoftë duke përdorur një gjenerator ose si një makinë mekanike. Rritja e interesit për termocentralet me gaz ka ardhur fill pas përfundimit të gazsjellësit TAP i cili e futi Shqipërinë një tjetër hartë.

 

Jo rastësisht duket se termocentralet janë propozuar në rajone ku ky gazsjellës kalon. Madje pika e parë e daljes së TAP zë vend në Fier.

 

Ndërtimi i kësaj pike në atë kohë u lakua si një moment i rëndësishëm për Shqipërinë pasi mundëson një pikë interkonjeksioni midis sistemit të transportit TAP dhe infrastrukturës së ardhshme të gazit në Shqipëri.

 

Zona e Fier – Vlorë – Ballsh sipas masterplanit të gazit paraqet një trekëndësh të rëndësishëm të konsumit industrial të gazit ku janë të vendosur shumica e konsumatorëve të mëdhenj industrialë.

 

Ndërkohë që, zona e Tiranës dhe Durrësit përbën zonën kryesore me konsum të konsiderueshëm gazi./Burimi: Monitor https://www.monitor.al/tec-me-gaz-ne-fier-kerkesa-e-dyte-nga-privatet-pas-bllokimit-te-projektit-ne-korce/


Më të lexuarat