Secondary Adv

Dixhitalizimi i Agjencise se Kadastres, 4,5 mln euro fonde per fazen e dyte

Rreth 4,5 mln euro është fondi në dispozicion të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës për dixhitalizimin e kartelave të 3,1 mln pasurive të paluajtshme.

 

Në Fletoren Zyrtare është botuar vendimi i qeverisë për buxhetin e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, për vitin 2023. Shpenzime kapitale për projektin e Qendrës së Kadastrës Dixhitale do të jenë 521,1 milionë lekë.

 

Totali i shpenzimeve ASHK-në për vitin 2023 parashikohen të jenë 5,6 miliardë lekë. Të ardhurat do të jenë në vlerën e 5,8 miliardë lekëve. Projekti për dixhitalizimin e pronave është prezantuar në dhjetor të vitit 2021.

 

Periudha e implementimit është në dy faza, janar 2022 deri dhjetor 2023. Projekti synon dixhitalizmin e plotë të kartelave të pasurive të paluajtshme dhe skanimi i referencave.

 

Me implementimin e tij sipas vendimit do të dixhitalizohen të dhënat kadastrale për rreth 3,187,000 pasuri dhe skanimi i rreth 2,252,000 dosjeve.

 

Përfundimi i procesit të regjistrimit fillestar në të gjithë vendin, si dhe modernizmit të të sistemit të regjistrit të pasurive të paluajtshme me qëllim automatizimin e shërbimeve, përditësimin e të dhënave dixhitale të kartelës dhe hartës treguese të regjistrimit, do të garantojnë informacionin e regjistruar për të gjitha pasuritë në Shqipëri.

 

Vendimi ndër të tjera thekson se ky program garanton ngritjen e një sistemi të sigurt dhe bashkëkohor. Faza e para e projektit përfshin skanimin e të gjithë referencave të pasurive të paluajtshme.

 

Faza II është skanimi dhe dexhitalizmi i kartelave të pasurisë që aktualisht janë manuale. Faza II do të përfshijë 1,693 zona kadastrale dhe do të zbatohet gjatë 2023.

 

Më herët në prezantimin e projektit Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Artan Lame tha se aktualisht nga 4,7 milionë pasuri të paluajtshme vetëm 2,8 milionë pasuri kanë referencë pasurore dhe vetëm 700,000 prona rezultojnë të regjistruara me dosje të plotë.

 

“Çdo pasuri në kadastër ka tre elementë, si: kartelën, referencën dhe hartografinë. Nga 4,7 milionë pasuri në kadastër vetëm 2,8 milionë prej tyre kanë referenca.

 

Kjo është absurde, pasi nga 1996-2010 regjistrimet fillestare kanë pasur mangësi, sidomos në fshatra nuk është hapur referenca për pasurinë. Për pasuritë shtetërore, që është problem i trashëguar, nuk regjistroheshin, ose nuk hapej kartelë.

 

Nga 2,8 milionë referenca vetëm 700,000 pasuri kanë dosjen e plotë të regjistruara pas vitit 2014, ndërsa për pasuritë e tjera është bërë vetëm skanimi i dosjeve”.

 

Burimi: Monitor https://www.monitor.al/dixhitalizimi-i-agjencise-se-kadastres-miratohen-45-mln-euro-fonde-per-zbatimin-e-fazes-ii-te-regjistrimit-te-31-mln-pronave/


Më të lexuarat