Projekti i tramit ne Tirane,asgje konkrete per punimet
Dy projektet më të rëndësishme për kryeqytetin, projekti i tramit dhe terminali multimodal, të prezantuara së fundmi nga Bashkia kanë mbetur në vend, pasi asgjë konkrete deri më tani nuk është bërë zyrtare.
Më 10 Qershor kreu i Bashkisë, Lulzim Basha ka prezantuarprojektin e linjës së tramvajit Kombinat-Kinostudo,i cili do të jetë i gjatë 9 km, bileta do të kushtojë 50 lekë dhe do të përgjysmojë kohën e udhëtimit në 24 minuta. Kosto e përgjithshme e tij arrin në rreth 155.5 milion euro dhe zbatimi do të arrihet përmes partneritetit publik-privat.
Por, po kalojnë afro dy muaj dhe asgjë nuk është bërë në këtë drejtim, pasi implementimi i projektit nuk mund të bëhet pa garancinë e qeverisë. Burime nga Bashkia e Tiranë konfirmojnë se deri më tani ekzekutivi ka qendruar indiferent. Ndërkohë qe projekti i tramit ne Tirane nuk dihet se kur mund te realizohet.
Ndërkaq, projekti tjetër me rëndësi të madhe për metropolin, i prezantuar po në muajin Qershor, me vlerë 41 milionë euro për ndërtimin e terminalit multimodal të pasagjerëve, po mbahet peng nga Këshilli Bashkiak, i cili nuk e ka miratuar atë.
Numërohen mbi 2000 automjete të shërbimit publik që hyjnë dhe dalin nga Tirana çdo ditë dhe që çlirojnë rreth 6 ton gaz karbonik i cili është shumë i dëmshëm për qytetarët. Projekti parashikon të krijojë hapsira për autobusët, taksitë, trenin dhe tramin. Terminali që do të ndërtohet në hapsirën prej 85 mijë m2 pranë Kthesës së Kamzës, do të ketë kapacitet për rreth 340 vende parkimi dhe do t’u shërbejë si fillim rreth 60 mijë pasagjerëve.