Secondary Adv

Bizneset rrisin borxhet ndaj Tatimeve, kryeson TVSH dhe sigurimet

Detyrimet e bizneseve ndaj administratës tatimore përgjatë vitit 2022 janë rritur me 11.8 miliardë lekë apo 103 milionë euro në krahasim me fillimin e vitit.

 

Referuar të dhënave zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve rezulton se gjendja e stokut të detyrimeve që sipërmarrjet duhet të paguajnë arrin në 146.8 miliardë lekë apo 1.28 miliardë euro.

 

Rritja e këtij stoku është shqetësues sidomos në një vit kur është vënë në jetë reforma antiinformalitet nga ana e administratës tatimore, çka mesa duket nuk ka funksionuar për këtë segment.

 

Nga të dhënat e rezulton se principali i detyrimeve tatimore të akumuluara përben rreth 61% të shumës totale të detyrimeve tatimore, ndërkohë që pjesa tjetër e këtyre detyrimeve 39% e mbetur përbëhet nga penalitetet dhe kamatëvonesat.

 

Në stokun e detyrimeve të papaguara në afat, të ndarë sipas llojit të tatimit, TVSH zë peshën më të madhe në stokun e borxhit me 35% në vlerë 52,1 miliardë lekë, ku biznese kryesisht të import-eksportit nuk kanë paguar sipas afateve ligjore 20 %-shin për mallrat.

 

E ndjekur nga Tatim Fitimi me 29% në vlerë 42,7 miliardë lekë, zëri Të Tjera me 16%, Sigurimet Shoqërore & Shëndetësore me 14% në vlerë 20.5 miliardë lekë, Tatimi në Burim me 4, TAP me 1% në vlerë dhe DIVA me 0.3%.

 

Rritja më të madhe të detyrimeve përgjatë këtij viti ka ardhur nga TVSH-ja, tatim fitimi dhe sigurimet shoqërore. Edhe pse skema e pensioneve është defiçitare, duket se shmangia e pagesave nga bizneseve e përkeqëson edhe më shumë atë. 

 

Sa i takon moshës së borxhit, rezulton që të jetë me vjetërsi mbi 2 vjet në vlerë 112,7 miliardë lekë është 77% ndaj totalit të stokut./Burimi: SCAN


Më të lexuarat