
Banka e Shqiperise zbardh planin e aprovuar nga FMN per 35 kompanite me kredi te keqija
Grupi i kompanive që mbajnë përqindjen më të lartë të kredive të këqija kanë afat deri në dhjetor 2016, të bëjnë ristrukturimin e borxhit ose të shpallin falimentin.
Kjo del nga letra e mirëkuptimit që i dërgon qeveria shqiptare FMN-së në 22 janar 2016. “Deri në fund të muajit mars të vitit 2016, ne do të hartojmë një plan të detajuar veprimi për trajtimin e 35 kompanive që janë mbajtëse të pjesës më të madhe të kredive me probleme”, njofton pala shqiptare.“Gjithashtu, deri në fund të muajit mars të vitit 2016, Banka e Shqipërisë do të ndërmarrë ndryshime rregullative në mënyrë që të rishikojë terminologjinë e kredive të klasifikuara “Të humbura”, me qëllim ndryshimin e afatit kohor për mbajtjen e kolateralit në bilancin e bankave, dhe për përmirësimin e kuadrit rregullator për shitjen e kredive të këqija”, njofton pala shqiptare planin e saj. “Ne do t’u kërkojmë bankave që të japin kredi vetëm në bazë të deklaratave fiskale të paraqitura në zyrat e Tatimeve, duke filluar nga janar të vitit 2018.
Përveç kësaj, do të paraqesim në Parlament ndryshime të Ligjit për Barrët Siguruese dhe Ligjit për Regjistrimin e Pasurive të Paluajtshme për të mbrojtur më mirë kolateralin e kredive dhe për të rritur sigurisë ligjore mbi pasurinë e patundshme”, theksohet në këtë plan. Deri në fund të prillit të vitit 2016, sipas kalendarit të paraqitur nga pala jonë, Banka e Shqipërisë do të miratojë masa për të përshpejtuar uljen e kredive të këqija përmes aplikimit të marrëveshjeve jashtë gjykatës për ristrukturimin e borxhit. Me asistencën teknike të Bankës Botërore dhe FMN-së, Ministria e Drejtësisë do të paraqesë një ligj të ri për falimentimin në Parlament deri në fund të qershorit 2016.
Në këtë draft, sipas planit, do të përfshihen praktikat më të mira ndërkombëtare, si dhe do të lejohet miratimi i përshpejtuar i planeve të ristrukturimit të borxheve, me qëllim për të mbrojtur të drejtat ekonomike të kreditorëve të siguruar dhe të pasiguruar. Deri në fund të shtatorit të vitit 2016, pala jonë premton të paraqesë në Parlament ndryshimet që do t’i bëhen Kodit të Procedurës Civile dhe Ligjit për Përmbaruesit Privatë për të rritur efikasitetin e procesit gjyqësor dhe shkurtimin e procedurave të mbledhjes së borxheve. Në këtë plan theksohet se, deri në fund të dhjetorit të vitit 2016, Banka do të përmirësojë regjistrin e kredive (për shembull, duke shtuar në historikun e kreditorit edhe proceset gjyqësore).
“Ne po ndërmarrin masa për të lehtësuar ristrukturimin e kredisë me probleme. “Një rregullore e re që kërkon fshirjen e detyrueshme nga regjistri të parave të humbura e kredive që kanë kaluar tre vjet në kategorinë “Të humbura”, ka hyrë në fuqi në fillim të vitit 2015. Si rezultat, në fund të shtatorit 2015, janë fshirë nga bilancet e bankave të nivelit të dytë rreth 16.8 miliardë lekë të klasifikuara “Të humbura”. Ndërkaq, raporti i kredive me probleme ra në 21 për qind në fund të shtatorit 2015 nga 25 për qind që ishte një vit më parë. Për të lehtësuar më tej këtë proces, Banka e Shqipërisë do të koordinojë me Ministrinë e Financave për të përmirësuar trajtimin tatimor të kolateralit që rikthehet nga gjyqet, pasi këto pasuri janë nxjerrë jashtë nga bilancet e bankave”, bëjnë të ditur autoritetet shqiptare.
“Ne kemi ngritur një grup pune të nivelit të lartë, me mandatin për të zhvilluar një strategji gjithëpërfshirëse për të adresuar çështjen e kredive me probleme. Strategjia u miratua nga Kryeministri dhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë në gusht dhe është publikuar në nëntor të vitit 2015. Strategjia integron reformat në fushën e mbikëqyrjes, të zbatimit, ristrukturimit të borxhit dhe falimentimit”, nënvizohet në letrën e mirëkuptimit dërguar FMN-së.
Më të lexuarat








