Secondary Adv

Paga mesatare u rrit me ritme dyshifrore ne fund te 2022

Paga mesatare në ekonomi u rrit përsëri në tremujorin e fundit të vitit të kaluar.

 

Statistikat e INSTAT tregojnë se paga mesatare mujore bruto arriti në pak më shumë se 66 mijë lekë, duke shënuar nivelin më të lartë historik, në rritje me 10.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

 

Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar, gjatë tremujorit të katërt 2022 paga mesatare bruto për aktivitetin e bujqësisë, pyjeve dhe peshkimit, ka rritjen më të madhe prej 18,2 %, ndërsa rritjen më të vogël e ka grup-aktiviteti i administratës publike dhe mbrojtjes;

 

sigurimi social i detyrueshëm; arsimi; shëndetësia dhe aktivitete të punës sociale prej 6,2 %. Sektori me pagën më të lartë mesatare në ekonomi vazhdon të jetë ai financiar.

 

Në tremujorin e fundit 2022, paga mesatare në këtë sektor arriti në 142 mijë lekë, me një rritje prej 16.4% krahasuar me një vit më parë.

 

Të gjendur përballë lëvizjeve në rritje të stafit dhe të nxitur edhe nivelet e larta të inflacionit, institucionet financiare kanë aplikuar një rritje të ndjeshme të pagave gjatë vitit 2022.

 

Duke qenë njës ektor përgjithsësisht i shëndetshëm dhe me marzhe të kënaqshme fitimi, sektori financiar ka reaguar me një rritje të ndjeshme të pagave ndaj situatës së krijuar nga inflacioni dhe shtrëngesat në tregun e punës.

 

Sektori tjetër që ka një pagë sipër nivelit të 100 mijë lekëve është ai i informacionit dhe komunikimit, me një pagë mesatare mujore bruto prej 103.5 mijë lekë, në rritje me 14% krahasuar me një vit më parë.

 

Në fund, sektorët me pagën më të ulët mesatare janë bujqësia, me 42.4 mijë lekë në muaj dhe ndërtimi, me 51 mijë lekë.

 

Rritja e pagës mesatare reflekton pjesërisht edhe trysninë në rritje për formalizim nga administrata tatimore, duke qenë se shifrat mbështetn në të dhënat administrative.

 

Në vitet e fundit, rritja e pagës mesatare po nxitet edhe nga rritja e pagës minimale ligjore në ekonomi, që për vitin 2022 u rrit dy herë. Një ndikim më i fortë pritet të ndihet këtë vit, për shkak të rritjes së pagës minimale nga 34 mijë lekë në 60 mijë lekë.

 

Por, rritja me ritme dyshifrore e pagave është sidomos tregues i tkurrjes së forcës së punës, sidomos asaj të specializuar, për shkak të emigracionit të lartë. Në një situatë të tillë, bizneset po gjendjen të detyruar të rrisin pagat.

 

Por, rritja e ndjeshme e pagave, në kushtet e inflacionit më të lartë në pothuajse 25 vjet, i bën më sfiduese përpjekjet për të frenuar rritjen e çmimeve nga banka qendrore.

 

Rritja e pagave e bën më të lehtë ruajtjen e aftësisë paguese të familjeve dhe amortizimin e pjesshëm të efekteve inflacioniste, pro, naga ana tjetër, shton trysninë mbi kostot e prodhimit të bizneseve dhe mund të sjellë një rritje të mëtejshme të çmimeve, për të ruajtur marzhet në kushtet e kostove të rritura.

 

Burimi: Monitor https://www.monitor.al/paga-mesatare-u-rrit-me-ritme-dyshifrore-ne-fund-te-2022-arrin-ne-me-shume-se-66-mije-leke/


Më të lexuarat