
Qeveria 1.15 miliarde euro tendera per mallra, investime e sherbime
Gjatë vitit 2022 institucionet publike në vend prokuruan në total 134.3 miliardë lekë për të marrë shërbime, mallra, konsulenca e investime.
Ky fond është vetëm për procedurat të cilat janë hapur në sistem dhe kanë përfunduar me një fitues. Nga ky total u kursye falë garës 11.2 miliardë lekë apo rreth 96 milionë euro çka përbën 8.4 për qind të fondit limit total të prokuruar.
Analiza vjetore e Agjencisë së Prokurimit Publik tregon se për 4507 procedura ka pasur një fitues dhe përqindja që zë oferta fituese në raport me fondin limit total është 91.6 për qind.
Përqindja që arrin të ulet në disa procedura në raport me garën në disa raste është thuajse minimale më pak se 1 për qind duke u bërë shpesh shkak për ngritjen e dyshimeve mbi konkurrencën reale por kjo përqindje duket se amortizohet nga të tjera procedura.
APP vërën se përsa i përket numrit të procedurave me negocim pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës, për periudhën Janar–Dhjetor 2022 janë zhvilluar gjithsej 157 procedura.
Jo në pa raste këto procedura janë bërë objekt kundërshtimesh por sipas raportit numri i tyre mbetet i njëjtë me vitin paraardhës.
“Krahasuar me numrin total tё procedurave tё përfunduar me fitues (procedura të tjera negocim pa shpallje), procedurat me negocim pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës përbëjnë 3.3% tё tyre, duke mbetur pothuajse në të njëjtat nivele me 2021 ku këto procedura zinin 3.4% të procedurave të përfunduara me fitues.
Nё çdo rast, sikundër rezulton nga tё dhënat e mësipërme, fondi limit i publikuar pёr këtë lloj procedure (1,273,811,249 lekë) është shumë më i ulët,
krahasuar me fondin limit total të procedurave të përfunduara me fitues (procedura të tjera negocim pa shpallje) (135,672,585,738 lekë) duke zёnё vetëm 0.9% tё fondit total tё procedurave tё përfunduar me fitues” thuhet në raport.
APP vëren se mesatarja e pjesëmarrjes në procedurat e tenderimit nga ana e operatorëve ekonomikë është më e lartë tek ato që reflektojnë mbi rekomandimet që ju bëhen në kuadër të përmirësimit.
Kështu sipas Agjencisë nga shqyrtimi i të dhënave në lidhje me numrin e ofertave të paraqitura dhe atyre të kualifikuara, në procedurat e asistuara, për periudhën Janar-Dhjetor 2022, për të cilat janë dërguar rekomandime, rezulton se:
-Në procedurat që kanë reflektuar pjesërisht rekomandimet e APP, mesatarja e ofertave të paraqitura është 4.49 oferta dhe mesatarja e ofertave të kualifikuara është 2.65 oferta.
Në procedurat që kanë reflektuar plotësisht rekomandimet e APP, mesatarja e ofertave të paraqitura është 3.77 oferta dhe mesatarja e ofertave të kualifikuara është 2.29 oferta.
Në procedurat që nuk kanë reaguar/reflektuar rekomandimet e APP, mesatarja e ofertave të paraqitura është 3.08 oferta dhe mesatarja e ofertave të kualifikuara është 1.66 oferta.
Burimi: Monitor https://www.monitor.al/qeveria-tendere-1-15-miliarde-euro-per-mallra-investime-e-sherbime-kurseu-vetem-8-4-te-fondit/
Më të lexuarat








