Secondary Adv

Kosova perfiton 67.5 milione euro nga fondi i BE per energjine

Thesari i Kosovës ka pranuar transhin e parë 67.5 milionë euro nga Bashkimi Europian, nga 75 milionë sa është mbështetja totale ndaj krizës energjetike.

 

Bashkimi Europian ka kryer disbursimin e mjeteve financiare në vlerën prej 67.5 milionë eurosh, si mbështetje për energji për Kosovën.

 

Siç thuhet në komunikatë, kjo është pagesa e transhit të parë të përkrahjes buxhetore në kuadër të programit vjetor IPA 2023, që në total kap vlerën 75 milionë euro.

 

Mbështetja e BE-së e plotëson skemën e qeverisë për mbështetje të energjisë, e cila do të fillojë menjëherë zbatimin e këtyre masave:

i) mbështetje e drejtpërdrejtë financiare për familjet më të cenueshme dhe më të pafavorizuara;

 

ii) stimulimi i kursimeve të energjisë nga konsumatorët familjarë;

iii) mbështetja e konsumatorëve individualë familjarë duke përfshirë konsumatorët e cenueshëm përmes rritjes së efiçiencës energjetike të njësive të banimit dhe ndërtesave;

 

iv) mbështetja e konsumatorëve shtëpiak duke përfshirë konsumatorët e cenueshëm në investimin në pajisje shtëpiake me efiçiencë energjetike dhe sisteme të energjisë së ripërtërishme;

 

v) stimulimi i kursimeve të energjisë nga ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme.

 

Tutje thuhet se Qeveria e Republikës së Kosovës do të vijojë të mbështesë qytetarët dhe të lehtësojë pasojat sociale dhe ekonomike për kategoritë më të prekura nga efektet e krizave të shkaktuara nga lufta në Ukrainë, përmes dhe një politike të qëndrueshme dhe të besueshme në menaxhimin e financave publike.

 

Ky është kësti i parë i parave që Kosova i merr nga pakoja e BE-së për mbështetjen për energji për Ballkanin Perëndimor.

 

Pakoja është krijuar nga BE-ja dhe shtetet anëtare të saj për t’i ndihmuar rajonit që ta kapërcejë krizën energjetike dhe rritjen e madhe të çmimeve të energjisë që i ka shkaktuar agresioni i pajustifikuar i Rusisë ndaj Ukrainës.

 

Këto fonde do të përdoren për zbatimin e masave mbështetëse për energji, të cilat përfshijnë mbështetjen ndaj familjeve më në nevojë, nxitjen e kursimit për konsumatorët familjarë,

 

mbështetjen për energji efiçiente për banesa e shtëpi, mbështetjen për blerjen e pajisjeve shtëpiake efiçiente, si dhe nxitjen e kursimit nga ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme, ka njoftuar Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve.

 

Mbështetja nga Bashkimi Europian kanalizohet përmes programit IPA 2023 për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqinë, program i cili këtë vit është dedikuar në plotëni për financim në fushën e energjisë. Tranzhi i dytë në vlerë prej 7.5 milionë euro do të disbursohet në vitin 2024.

 

Burimi: Monitor https://www.monitor.al/kosova-pranon-67-5-milione-euro-nga-be-ja-per-energjine/


Më të lexuarat