Cmimi i naftes ne bursa peson renie me mbi 2 dollare
Çmimet e naftës ranë sot në nivelin më të ulët në 15 muajt e fundit për shkak të shqetësimeve se rreziqet në sektorin bankar botëror mund të shkaktojnë një recesion.
Gjithashtu tregjet janë në pritje të vendimmarrjes së Rezervës Federale të SHBA, me një një rritje të mundshme të normave të interesit këtë javë.
Kontratat e së ardhmes së naftës së papërpunuar Brent ranë 2,32 dollarë, në 70,65 dollarë për fuçi, ndërsa nafta e papërpunuar e Teksasit Perëndimor u tregtua me 64,59 dollarë për fuçi, me një rënie prej 2,15 dollarë.
Rënia e çmimit të naftës vjen pavarësisht marrëveshjes historike, sipas së cilës UBS, banka më e madhe e Zvicrës, do të blejë kreditorin numër 2 të vendit Credit Suisse në një përpjekje për të ndaluar përhapjen e një krize bankare.
Pas njoftimit, Rezerva Federale e SHBA, Banka Qendrore Europiane dhe banka të tjera qendrore të mëdha u zotuan të rrisin likuiditetin e tregut dhe të mbështesin bankat e tjera.
Takimi i ardhshëm i OPEC-ut është një tjetër katalizator i mundshëm në perspektivën e tregut. Rreziku i mëtejshëm i rënies së çmimeve rrit mundësinë që OPEC të reduktojë më tej prodhimin për të mbështetur çmimet.
Disa investitorë po i bëjnë thirrje Rezervës Federale të ndalojë shtrëngimin e politikës monetare për momentin, por të jetë gati të rifillojë rritjen e normave më vonë.
Një ngadalësim i rritjes së normave të interesit mund të dobësojë monedhën e gjelbër, duke i bërë mallrat e tregtuara në dollarë si nafta e papërpunuar, më të përballueshme për mbajtësit e monedhave të tjera.
Nga ana tjetër, Goldman Sachs uli parashikimet e saj për naftën e papërpunuar Brent. Banka e investimeve tani pret që Brent të arrijë mesatarisht 94 dollarë për fuçi në 12 muajt e ardhshëm dhe 97 dollarë në gjysmën e dytë të 2024, nga 100 dollarë që parashikohej më pare çmimi./Burimi: Scan