Projekti i lungomares se Durresit, BIRN: Shqetesime per demtimin e plazhit
Projekti i lungomares së Durrësit shtrihet nga Ura e Dajlanit deri te godina e Kavalishencës së Ministrisë së Brendshme dhe pritet të kushtojë rreth 284.9 mln lekë.
Ajo parashikon ndërtimin e një shëtitoreje për këmbësorë, një piste vrapimi si dhe korsi për biçikletat, por jo të gjithë duken të kënaqur me këtë projekt.
Inxhinieri urbanist, Agim Koçi i tha BIRN se shëtitorja që po ndërtohet është e panevojshme dhe se zëvendësimi i rërës me betonin do ta komplikojë edhe më shumë situatën për pushuesit e plazhit të Durrësit.
“Mjafton të riparohej trotuari i ngushtë që ishte ndërtuar para pallateve në mesin e viteve 2000, si dhe të hiqej bordura prej tulle në krah,” tha Koçi. “Lëvizja e kalimtarëve mund të bëhej si më parë në trotuarin që ndan rërën nga bar-restorantet,” shtoi ai.
Ndërsa makineritë e rënda po vazhdojnë punën për ndërtimin e lungomares, operatorët turistikë në qytetin e Durrësit janë të shqetësuar se ndërhyrjet në infrastrukturë do të zvogëlojnë hapësirën e rërës si dhe do t’i ndryshojnë fytyrën plazhit.
Eksperti i turizmit, Edmond Basho thotë se bazuar në kontratat e deritanishme të hoteleve të mëdha të Durrësit dhe Kavajës pritet një rritje me 10-15 e numrit të turistëve të huaj krahasuar me vitin 2022.
“Mungesa e ndërhyrjeve ndërtimore e ka ruajtur mirë mjedisin detar, gjerësinë e plazhit si dhe pjesën e gjelbëruar dhe të pyllëzuar,” tha Basho për BIRN.
Edhe më kritikë për projektin që po zbatohet janë pronarët e bareve dhe restoranteve që shtrihen përgjatë bregdetit, të cilët ankohen se bashkia nuk i ka konsultuar.
Niko, administrator i një hoteli prej 14 vitesh, thotë se projektin e morën vesh përmes mediave dhe se i shqetësohen faktit se shëtitorja do të pakësojë fondin e rërës në dispozicion të pushuesve.
“Çakulli tashmë është hedhur në gjërësinë prej 7-8 metrash dhe janë betonuar bordurat mbajtëse,” thotë Niko. “Në stabilimentet Apolonia dhe Hekurudha, ku edhe gjërësia e rërës është më e vogël, do të vendosen me siguri vetëm gjysma e çadrave që instalohen zakonisht.
Pra do të pushojnë diçka më shumë se sa gjysma e plazhistëve të sotëm,” shtoi ai. Admiri, i cili zotëron gjithashtu një biznes në zonë, thotë se vendosja e ndriçuesve përgjatë lungomares do t’i rikthente plazhit traditën e shëtitjeve të viteve ’70-’80.
Megjithatë, Admiri shton se projektuesit nuk i kanë bërë mirë llogaritë me kushtet atmosferike. “Nuk duhet harruar se era që fryn nga deti në dimër do ta mbushë me rërë trotuarin e gjerë me emrin shëtitore,” shtoi ai, ndërsa kujton se e njëjta gjë ndodhte edhe në fund të viteve ’80.
Sipas pushtetit vendor, pakësimi i fondit të rërës për shkak të projektit do të zgjidhet duke mbushur metrat e para të ujit dhe duke fituar një sipërfaqe të re plazhi./Burimi: Panorama.al