Secondary Adv

Kosova nis zbatimin e Ligjit te Duhanit, qindra gjoba e inspektime ne pak dite

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka thënë se prej datës 16 mars janë bërë 683 inspektime, duke hasur në 149 raste të shkeljes së Ligjit kundër Duhanit.

 

Llogaritet se qytetarët e Kosovës brenda vitit djegin në cigare rreth 200 milionë euro. Për më pak se një javë janë shqiptuar 149 gjoba për shkelësit e Ligjit për duhanin në Kosovë.

 

“Lufta” ndaj atyre që se respektojnë këtë ligj ka nis nga mesi i këtij muaji. Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, ka thënë se nuk do ketë më asnjë tolerancë ndaj shkelësve.

 

“Ne vetëm po bëjmë detyrën tonë për të cilën jemi mandatuar. Ajo që po me bën të ndjehem krenar, është kultura e masave qytetare të cilët po e shprehin në respektim të vullnetshëm të ligjit.

 

Ata të cilët në çfarëdo forme tentojnë t’i shkelin rregullat, sigurisht që do të përballen me masën ndëshkimore që e ka përcaktuar ligji. Nga data 16 deri me sot kemi realizuar 683 inspektime nga të cilat kemi hasur në 149 raste të shkeljes se ligjit, për të cilat raste kanë pasuar gjobat”.

 

Ditë më parë, ministri i Bujqësisë ka kërkuar nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë shtim të aktivitetit dhe inspektorëve sanitarë në teren si dhe masa rigoroze për ata që nuk e zbatojnë Ligjin për Kontrollin e Duhanit.

 

“Në ditën kur qytetaret shohin vendosmërinë e shtetit, për ta bërë të zbatueshëm një rregull që bëhet për ta ruajtur shëndetin dhe jetën e tyre ata menjëherë ndryshojnë sjellje dhe e përqafojnë e mirëpresin.

 

Duhanpirës dhe joduhanpirës po i shijojnë shërbimet e kafiterive tona pa tym duhani. Do ju dëshmojmë përkushtimin tonë në mbikëqyrje të zbatimit të ligjit të duhanit me tolerancë zero ndaj shkelësve.

 

Për më tepër, përtej ndërgjegjësimit qytetar që është më se i dukshëm, urojmë të reflektojnë të gjithë ata që përpiqen që jo vetëm ta minimizojnë punën tonë, por edhe ta ulin poshtë vullnetin e qytetarëve për bashkëpunim”.

 

Edhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës ka njoftuar se brenda pesë ditëve ka shqiptuar 150 gjoba për shkelësit e Ligjit për Kontrollin e Duhanit. “Nga dita e enjte janë bërë rreth 500 inspektime ku në rreth 150 prej tyre janë shqiptuar masa sanksionuese të përcaktuara me Ligj.

 

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë është duke vazhduar punën në mbikëqyrje të zbatimit të Ligjit të Duhanit. Ekipet inspektuese në kontrollet sipas lanit po vazhdojnë ta kenë ne prioritet edhe respektimin e rregullit ‘Pa Tym’ në hapësirat e mbyllura të përcaktuar me Ligj”.

 

Ditë më parë, Ministria e Bujqësisë kishte thënë se nuk do të ketë tolerancë ndaj pirjes së duhanit në ambiente të mbyllura. Sipas njoftimit, çdo qytetar gëzon të drejtën ligjore që të mbrohet nga ekspozimi ndaj tymit të duhanit.

 

“Zero tolerancë ndaj duhanit në ambiente të mbyllura, hapësira publike, të punës, në hapësira të transportit publik dhe në çdo hapësirë tjetër që përcaktohet me Ligjin për Kontrollin e Duhanit”.

 

Në 2013 ka hyrë në fuqi Ligji për Duhanin, i cili ndalon 100% pirjen e duhanit në hapësira të mbyllura në vende publike me qëllim të mbrojtjes së shëndetit publik të gjeneratave të tanishme dhe të ardhshme nga pasojat shkatërruese shëndetësore, sociale, ekonomike dhe mjedisore të konsumimit të duhanit dhe ekspozimit ndaj tymit të duhanit.

 

Ligji thekson se dënimi për shkelësin fizik ose qytetarin është 50 euro, për përgjegjësin e hapësirës 500 euro dhe personin juridik apo për subjektin afarist kjo vlerë arrin në 3,000 euro.

 

Në Kosovë, për një vit hyjnë rreth 3 mijë e 500 tonelata duhan. Në bazë të këtyre statistikave të Doganave të Kosovës, del se qytetarët harxhojnë rreth 150 deri në 200 milionë euro për një vit për konsum të duhanit.

 

Kurse për një person, mbi bazën e llogaritjeve nëse ai shpenzon një pako cigare në ditë, del se shpenzimet e tij vjetore arrijnë shumën minimale prej 600 euro./Burimi: https://www.monitor.al/kosova-nis-luften-me-shkelesit-e-ligjit-te-duhanit-qindra-gjoba-e-inspektime-per-pak-dite/


Më të lexuarat