Secondary Adv

Autoriteti i Konkurrences rrezon marreveshjen, nuk rritet cmimi i autoshkollave

Autoriteti i Konkurrencës doli sot me një vendim përfundimtar lidhur me akt-marrëveshjen që parashikonte rritjen e çmimeve të autoshkollave.

 

Në përfundim të vlerësimit ligjor, Komisioni i Konkurrenës arriti në përfundimin se akt-marrëveshja e muajit shkurt të këtij viti është një marrëveshje e ndaluar në vetvete për nga objekti, në kuptimin e ligjit.

 

Sipas Komisionit, hyrja në fuqi e kësaj marrëveshjeje do të çonte në praktika të njëjta në çmimet/tarifat e pagesës për përgatitjen dhe fitimin e kategorisë së leje drejtimit, dëshmisë ose certifikatës, duke penguar, kufizuar dhe shtrembëruar konkurrencën në treg.

 

Si e tillë, ajo klasifikohet si marrëveshje e ndaluar. Për këtë arsye, Komisioni i Konkurrencës vendosi sot se Akt Marrëveshja e datës 13.02.2023, e lidhur ndërmjet palëve:

 

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, Shoqata “Kombëtare e Autoshkollave”, Shoqata e Autoshkollave “Siguria në rrugë” dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, vlerësohet si një akt marrëveshje në kundërshtim me nenin 4 të ligjit 9121.2003, “Për mbrojtjen e konkurrencës”.

 

Komisioni vendosi gjithashtu monitorimin e tregut të shërbimit të përgatitjes dhe pajisjes me leje drejtimi, sipas kategorisë së lejedrejtimit, dëshmisë ose çertifikatës, për një periudhë njëvjeçare.

 

Autoriteti i Konkurrencës nënvizon se moszbatimi i këtij vendimi përbën shkelje të rëndë të konkurrencës në kuptim të nenit 74, pika 1, gërma c), të ligjit nr. 9121/2003.

 

Sipas dispozitës së mësipërme, moszbatimi i vendimit të Komisionit të Konkurrencës klasifikohet si shkelje e rëndë dhe mund të ndëshkohet me gjobë deri në 10% të xhiros së vitit financiar paraardhës.

 

Dokumenti në fjalë u dakordësua më datë 13 shkurt nga disa grupe e interesi, duke përfshirë Shoqatën Kombëtare të Autoshkollave, Shoqatën e Autoshkollave “Siguria në Rrugë”, Drejtorinë së Përgjithshme të Tatimeve,

 

Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor, që deklaruan se binin dakord me tarifat e reja që varionin sipas kategorive të lejeve të drejtimit nga 30,000 lekë deri në 125,000 lekë.

 

Sipas draftit, bashkëpunimi midis palëve cilësohej i domosdoshëm dhe i rëndësishëm, pasi ndihmonte në luftën ndaj konkurrencës së pandershme, rregullimin e tregut të autoshkollave, rritjen e ndërgjegjësimit publik dhe përmirësimit të sigurisë në rrugë.

 

Autoriteti i Konkurrencës e mori në shqyrtim draftin në fjalë pas raportimeve në media dhe në fillim të muajit mars doli me një vendim paraprak, në formën e masës së përkohshme, që ndalonte zbatimin e kësaj marrëveshjeje.

 

Masa e përkohshme u vendos deri në përfundim të procedurës administrative dhe marrjen e vendimit përfundimtar të Komisionit të Konkurrencës. Me vendimin përfundimtar të ditës së sotme, kjo marrëveshje është vlerësuar përfundimisht në shkelje të ligjit.

 

Burimi: Monitor https://www.monitor.al/autoriteti-i-konkurrences-marreveshja-qe-rrit-cmimet-e-autoshkollave-eshte-e-jashteligjshme/


Më të lexuarat