Secondary Adv

Turizmi me rritje dhe ne Shkurt, 51.5 per qind me shume hyrje se nje vit me pare

Statistikat e lëvizjes së shtetasve për muajin Shkurt të publikuara nga INSTAT, paraqesin një rritje të këtij treguesi, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

 

Konkretisht, në shkurt të vitit 2023, numri i shtetasve gjithsej që kanë hyrë në territorin shqiptar regjistrohet në 695,246, duke pësuar një rritje me 51.5% krahasuar me shkurtin e një viti më parë, i cili regjistronte 458,951 hyrje.

 

Krahasuar me tetë vitet e fundit, shkurti i këtij viti shënon numrin më të lartë të hyrjeve gjithsej në territorin e Shqipërisë. Numri i hyrjeve të shkurtit 2023 kalon edhe nivelin më të lartë të periudhës para pandemisë, kur regjistroheshin në 616,496, ose 13% më pak se shkurti i këtij viti.

 

Numri i shtetasve shqiptarë që kanë hyrë në Shqipëri është 385,921 ose 56% të hyrjeve në total, ndërsa shtetasit e huaj përbëjnë 44% ose 309,325 të huaj gjithsej.

 

Krahasuar me një vit më parë, numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është rritur me 53.9%, nga 200,997 të huaj në shkurt të 2022-shit.

 

Nga ana tjetër, po të flasim për daljet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj nga territori i Shqipërisë, gjatë muajit shkurt të vitit 2023, janë shënuar gjithsej 693,021 dalje duke pësuar kështu një rritje me 40.3%, po ta krahasojmë me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

 

Referuar INSTAT mbi numrin e shtetasve shqiptarë të dalë nga territori i vendit tonë, shifrat tregojnë se janë 389,654 shtetas që kanë dalë, nga 293,703 që ishte kjo shifër gjatë shkurtit të 2022-shit.

 

Daljet e shtetasve të huaj nga territori i Shqipërisë gjatë muajit shkurt 2023, janë 303,367. Krahasuar me shkurtin e 2022-shit, ky numër është rritur me 51.5%.

 

Gjatë shkurtit, rajoni me numrin më të lartë të origjinës së shtetasve të huaj në Shqipëri vijon të jetë ai i Europës, me 300,057 shtetas, ndjekur nga Amerika me 6,250, ndërsa me numrin më të vogël të hyrjeve e regjistron Afrika me vetëm 184 shtetas.

 

Megjithatë, këto shifra të publikuara nga Instat,  flasin vetëm mbi lëvizjen e shtetasve të përmbledhura me rajone por prej disa muajsh mungon reflektimi i numrit të turistëve të huaj të specifikuar sipas vendit të origjinës.

 

Përsa i takon qëllimit të hyrjeve të shtetasve të huaj në territorin e Shqipërisë, dominohet nga kategoria e qëllimeve “personale”, dhe është regjistruar në 300,913, duke u rritur me 55.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

 

Kategoria e qëllimeve personale mbizotërohet nga nënkategoria “pushime, vizitë tek të afërmit” me rreth 95%, ndjekur nga nënkategoria “udhëtarë transit” me rreth 5%.

 

Nga ana tjetër, shtetasit e huaj që kanë hyrë në Shqipëri për qëllime profesionale apo për biznes janë vetëm 8,412, duke u rritur me 6.3% krahasuar me shkurtin e vitit të kaluar./Burimi: Scan Intel


Më të lexuarat