Secondary Adv

Zbulimi i plote i Amfiteatrit te Durresit, Fond 89 mln leke per shpronesimin e banesave te prekura

Në Durrës ka nisur puna për zbulimin e plotë të Amfiteatrit.

 

Fillimisht po kryhen sondazhe gjeologjike e më pas pritet të kryhen gërmime që synojnë zbulimin e elementeve të arenës.

 

Për t’i hapur rrugë projektit do të shemben 11 shtëpi, pronarët e të cilëve do të shpronësohen nga shteti.

 

Pas vendimit të qeverisë për shpronësimin e banorëve në zonën ku gjendet Amfiteatri i Durrësit, Ministria e Kulturës mbështetur nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) ka nisur punën për zbulimin e plotë të Amfiteatrit.

 

“Ka ardhur një kompani që po bën studimin gjeologjik të shtresave nëntokësore”, tha drejtori i monumenteve, Alban Ramohitaj.

 

Aktualisht në terren ndodhen gjeologët e kompanisë së kontraktuar nga Ministria e Kulturës të cilët po kryejnë studimin e formacionit të nëntokës deri në 30 m thellësi për të përcaktuar raportet ndërmjet objekteve arkeologjike me nëntokën.

 

Mbi bazën e kësaj harte, do të nisin gërmimet nga arkeologët për të zbuluar plotësisht Amfiteatrin.

 

“Edhe 6 ditë të tjera do qëndrojnë gjeologët dhe pasi të mbarojë studimi gjeologjik do të vijnë arkeologët për të bërë gërmime në Arenë. Ata do të kenë më të qartë se deri ku do të shkojnë gërmimet për zbulimin e plotë të Amfiteatrit”, shpjegon Ramohitaj.

 

Për realizimin e projektit “Restaurimi dhe rikualifikimi urban i Parkut Arkeologjik Durrës” do të shemben 11 shtëpi brenda 3 muajsh.

 

Një fond prej 89 milionë lekësh është vënë në dispozicion për shpronësimin e pronarëve. /Burimi: Shqiptarja.com


Më të lexuarat