Secondary Adv

Ministria e Financave: Do te ngreme Avokatin e Biznesit qe te merret me ankesat

Qeveria kërkon të rimarrë 35 vendet e humbura në renditjen e Bankës Botërore “Doing Bussines” me një plan kombëtar që synon përmirësimin e klimës së biznesit. Ministrja e Ekonomisë, Milva Ekonomi, në takimin e djeshëm me shoqatat dhe dhomat e tregtisë, deklaroi së do të ngrihet institucioni Obudsmani i Biznesit.

 

Një institucion të tillë e ka Ministria e Financave, Avokati i Tatimpaguesve, por do të shtohet një tjetër, që do të jetë në një rang me institucionet e tjera të pavarura. “Ai do të bëhet si bartës i të gjithë ankesës dhe pastaj të drejtojë zgjidhjen e ankesës kur ajo është e zgjidhshme brenda legjislacionit, kur ajo nuk është e zgjidhshme përmes ligjit, të bëjë presionin për ndryshimin e kuadrit ligjor”, sqaroi ministrja Ekonomi. “Kemi nevojë të konsultojmë gjërat që kemi bërë deri tani, por kemi nevojë edhe të lehtësojmë më tepër që ju të keni shansin të operoni më shpejt dhe më fort. Dhe për të përmirësuar klimën, Ministria e Zhvillimit Ekonomik njohu biznesin me disa prej nismave”, tha Ekonomi.


Ministrja Milva Ekonomi deklaroi se është mjaft e rëndësishme që të lehtësohen disa praktika të të bërit biznes, si ato për nisjen e një biznesi, në marrjen e një kredie apo në dhënien e lejeve të ndërtimit. Ndërkohë, shoqatat e biznesit u ankuan për burokraci dhe procedura të shumta në zyrat e administratës, si dhe për taksat e larta. “Rishikimi i procedurave që has biznesi, saktësimi i detyrimeve të tyre, botimi i këtyre procedurave online që të jetë sa më e lehtë, ta shikosh paraprakisht, të mbledhësh të gjitha dokumentet që mund të duhen, të bësh një vizitë diku po qe e nevojshme dhe të mbarosh punë, besoj se do të ndihmonin biznesin që të merret me biznes dhe jo thjesht me dokumentacione”, tha drejtori i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Lorenc Gjoni.


Pas bllokimit të përkohshëm, qeveria deklaroi se do të shkurtojë ndjeshëm kohën dhe procedurat për lejet e ndërtimit. “Do të arrihet minimizimi i kohës dhe kostos për marrjen e lejeve të zhvillimit të ndërtimit, që është thembra e Akilit. Ne synojmë që koha të ulet deri në 45 ditë”, tha Bashkim Sykja nga Ministria e Ekonomisë. Duke reaguar përfaqësuesi i Shoqatës së Ndërtuesve tha se “sot nuk është problem 54-ditëshi apo 60-ditëshi, por është problem se nuk jepen leje ndërtimi”. Lidhur me rritjen e taksave, foli kreu i Dhomës së Tregtisë Tiranë, Nikolin Jaka. “Nga një taksë 4 për qind e çmimit të ndërtimit, sot është një taksë 8 për qind e çmimit të shitjes së tregut dhe e përllogaritur në mënyrë matematikore është 15 herë më shumë”, deklaroi Nikolin Jaka.


Një shqetësim tjetër i ngritur nga biznesi ishte edhe bllokimi i Gjykatës Administrative. “Duke qenë se struktura e kësaj gjykate është shumë e vogël, ka nisur radha dhe ne duhet të presim një vit për të shqyrtuar një çështje”, u shpreh Luan Bregasi, president i “Biznes Albania”. Edhe për këtë çështje, ministrja Ekonomi tha se qeveria do të ngrejë Avokatin e Biznesit. Raporti i fundit i Bankës Botërore theksonte se në klimën e biznesit ka ndikuar negativisht, sidomos mungesa e furnizimit me energji elektrike, vështirësitë në dhënien e lejeve të ndërtimit dhe pagesa e më shumë taksave për kompanitë.


Më të lexuarat