Depozitat ne Shkurt shenuan renien me te madhe mujore ne tre vjet
Depozitat e individëve, bizneseve dhe institucioneve shtetërore në banka kanë shënuar një rënie të fortë gjatë shkurtit në raport me janarin e po këtij viti.
Në shkurt, stoku i depozitave në sistem zbriti në 1.28 trilionë lekë, me një tkurrje prej 15 miliardë lekë, ose -1.2% në krahasim me muajin e mëparshëm.
Tkurrja është më e forta që nga prilli i 2020, por në atë kohë ishte më shumë efekt statistikor për shkak të luhatjeve të forta të kursit të këmbimit në momentin e fillimit të pandemisë që rritën artificialisht depozitat në euro (të cilat raportohen në monedhën vendase) në mars dhe i ulën në prill.
Përveç prillit, periudha kur janë shënuar tkurrje më të mëdha të depozitave është në tetor-nëntor 2008, kur sistemi bankar vendas vuajti për disa muaj pasojat e krizës globale financiare.
Në shkurt të këtij viti rënia ka ardhur si nga kursimet në monedhë vendase, ashtu dhe në atë të huaj. Depozitat në lekë u tkurrën me 1% në krahasim me janarin (-5 miliardë lekë) dhe ato në euro me -1.3% (-9.6 miliardë lekë).
Sërish në ecurinë e depozitave në euro ka ndikuar dhe nënçmimi i euros. Rënia e kursimeve në lekë u ndikua kryesisht nga tkurrja e depozitave të korporatave, ndërsa ato në valutë si nga individët ashtu dhe nga bizneset.
Ritmet e shtimit të kursimeve në sistemin bankar janë ngadalësuar ndjeshëm gjatë vitit të fundit. Me bazë vjetore (shkurt 2023/shkurt 2022) kursimet janë zgjeruar me 4.2%. Përkatësisht një vit më parë, zgjerimi vjetor ishte 10.1%.
Kursimet në valutë vijojnë të mbizotërojnë, duke zënë 57% të totalit në fund të muajit shkurt./Burimi: Monitor https://www.monitor.al/depozitat-ne-shkurt-shenojne-renien-me-te-madhe-mujore-ne-tre-vjet/